Byroja Kombëtare e Hetimit në Shqipëri ka ushtruar kontroll në vilën e biznesmenit Samir Mane, si dhe në ambientet e zyrës së tij, me vendim të GJKKO-së. Burime të besuara bëjnë me dije se gjatë kontrollit është sekuestruar edhe telefoni celular i biznesmenit.
Kontrollet vijnë në vijim të megaoperacionit të SPAK, i cili goditi tre grupe të dyshuara kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave. Në qendër të hetimeve janë grupet e drejtuara nga Artur Shehu, Artur alias Luciano Koceku dhe Alfredo Hamzai.
Sipas dosjes hetimore, paratë e përfituara nga trafiku i drogës dyshohet se investoheshin në sektorin e ndërtimit përmes biznesmenëve Ilir Shtufi dhe Orest Sota. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu investime të dyshuara në projektin Green Coast në Palasë, në pronësi të Samir Manes.
Emri i Manes përmendet në materialet hetimore të SPAK. Burimet konfirmojnë se gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje dhe materiale që mund t’i shërbejnë hetimit, ndërsa telefoni celular i biznesmenit është marrë për verifikime të mëtejshme.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Samir Manes shfaqet në dosje të rëndësishme hetimore të SPAK-ut. Më herët, ai është përmendur edhe në hetimet ndaj grupeve të drejtuara nga Alfredo Hamzai dhe Luciano Koçeku, të cilët prokuroria i konsideron figura kyçe në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave.
Cilat janë bizneset e Samir Mane në Kosovë?
Samir Mane është pronar i kompanisë Balkan Finance Investment Group që në publik njihet si Balfin Group. Në kuadër të kësaj korporate përfshihen shumë biznese.
Në Kosovë Samir Mane është pronar/aksionar i dy bizneseve shumë të njohura. Fjala është për kompaninë Jumbo dhe Neptun Kosova.
Pronësia e JUMBO (Kosovë) sqarohet në ueb-faqen e kompanisë, ku thuhet se është pjesë e grupit BALFIN, grup i regjistruar në Shqipëri dhe në të cilin Samir Mane ka 100% të aksioneve, raporton Veriu.info.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Neptun Kosova figuron si kompani e themeluar në 2007, ku Grupi BALFIN i Samir Mane zotëron 60% të aksioneve.
Se a do të kemi hetim të autoriteteve kosovare në lidhje me veprimtarinë biznesore të Samir Manes pas zhvillimeve në Shqipëri, ende nuk dihet!/Veriu.info













