Si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në shtëpinë e familjes Brahimi në Kçiqi të Mitrovicës ishin lënduar 14 anëtarë të familjes.
Pas vizitës që kishte bërë në vendin e ngjarjes, kryetari i Mitrovicës Bedri Hamza, ishte zotuar se komuna do t’i dalë në ndihmë kësaj familjes me një shumë të mjeteve financiare prej 20 mijë euro.
Në funksion të realizimit të këtij zotimi, sot me propozimin e kryetarit Hamza kjo çështje ishte pikë e rendit të ditës për miratim në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, raporton VeriuInfo
Gjatë shqyrtimit të kësaj pike të rendit të ditës, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, Hysen Muzliukaj përkrahu propozimin për ndihmë financiare kësaj familje, ku njëkohësisht dha propozimin që shuma prej 20 mijë euro të rritet në 40 mijë euro, me ç’rast kërkoj nga asamblistët e Kuvendin që ta përkrahin këtë propozim.
“Shuma nga 20 mijë sa i ka ndarë kryetari, kërkoj që t’i shtohen edhe 20 mijë të tjera të ndara nga Kuvendi dhe shuma totale të jetë 40 mijë euro”, tha Hysen Muzliukaj.
Duke u përgjigjur në propozimin e asamblistit Muzliukaj, kryetari Hamza tha që ndoshta mund të ngritet deri 30 mijë euro., raporton VeriuInfo
“E vlerësoj shumë përkrahjen e z. Muzliukaj. Ne e dimë që financat e buxheteve të komunave në përgjithësi janë të kufizuara, prandaj mendoj që si shumë për mos me e lanë ata që e kemi propozu, por ndoshta mund të ngritet deri në 30 mijë euro. Përndryshe, ne kena me u përballë gjatë gjithë vitit nuk e dimë edhe me çka. Mjetet janë të planifikuara për çështje tjera, por tash kjo del të jetë prioritet i prioriteteve. Për me marrë në konsideratë propozimin e asamblistët dhe mendoj që është vullnet i gjithë tjerëve shumën e propozuar prej 20 mijë me shku në 30 mijë euro dhe mendoj që është korrekte prej anës tonë, për shkak se kemi raste të sëmundjeve që kanë nevojë për shërim jashtë vendit”, ka thënë kryetari Hamza.
Kjo pikë e rendit të ditës pastaj u miratua me votë unanime./ Veriu.info













