Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një bisedë me një zyrtar kinez në Beograd, vuri në dukje vazhdimin e “traditës së forcimit të miqësisë së hekurt” midis Serbisë dhe Kinës.
Vuçiq, gjatë takimit me Këshilltaren Shtetëror të Këshillit Shtetëror të Kinës, Shen Yiqing, deklaroi më 13 gusht se “marrëdhëniet miqësore të presidentit kinez Xi Jinping i dhanë Serbisë një vrull të fortë në rrugën e përparimit”.
“Një takim i shkëlqyer, thelbësor dhe miqësor për çështjet më të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe me Kinën, si dhe për aktivitete specifike në fushën e zhvillimit sportiv, bashkëpunimit kulturor dhe mbështetjes reciproke në organizimin e ngjarjeve sportive ndërkombëtare”, ka shkruar Vuçiq në faqen e tij në Instagram.
Presidenti kinez Xi Jinping ishte në Beograd më 8 maj kur e përshkroi Serbinë si vendin e parë evropian me të cilin Kina po ndërton një të ardhme të përbashkët.
Kjo ishte vizita e tij e dytë në Serbi në tetë vitet e fundit, gjatë së cilës u dërguan mesazhe për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ndërsa Xi mbështeti Serbinë në sfidimin e pavarësisë së Kosovës, Vuçiq u përgjigj se Beogradi zyrtar mbështet “politikën e një Kine” – sipas së cilës ishulli i Tajvanit, i cili e konsideron veten një shtet sovran, është pjesë e territorit kinez.
Krahas mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, Kina po ashtu mbështet Serbinë në përpjekjet e saj për të parandaluar që ai vend të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara.
Deri më tani, Serbia nuk i është bashkuar asnjë deklarate ndërkombëtare kundër Kinës, ndërsa Pekini zyrtar është objektiv i kritikave për gjendjen e të drejtave të njeriut – me akuza se qeveria po shtyp ujgurët, një pakicë myslimane që jeton në provincën Xinjiang.
Serbia dhe Kina kanë gjithashtu një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë, të nënshkruar në tetor 2023.
Kjo marrëveshje është nën vëzhgimin e Brukselit, pasi Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Projektet me Kinën nën vëzhgimin e Brukselit
Serbia ka qenë edhe më parë shënjestër e kritikave nga BE-ja për shkak të huamarrjeve dhe marrëdhënieve me Kinën, të cilat në raportet e organizatave ndërkombëtare përshkruhen si jotransparente dhe lënë hapësirë për korrupsion.
Projektet kineze në Serbi shkaktuan shqetësim te parlamentarët evropianë për shkak të mungesës së transparencës në lidhje me ndikimin e tyre në mjedis.
Miliarda dollarë investime kineze po mbërrijnë në Serbi dhe projektet e infrastrukturës – autostrada, ura, hekurudha, termocentrale – po ndërtohen me kredi kineze.
Me kalimin e viteve, Kina është bërë partneri i dytë më i rëndësishëm tregtar i Serbisë, pas Gjermanisë, kryesisht duke blerë fabrikat e hekurit në Smederevë dhe minierat e bakrit dhe arit në Bor.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, huamarrja e Serbisë nga Kina është në rritje.
Të dhënat nga Banka Kombëtare e Serbisë tregojnë se borxhi i Serbisë ndaj Kinës është rritur 15 herë gjatë 11 viteve të fundit, në gati pesë miliardë euro.













