Një raportim tjetër për një familjare të Presidentes është punësuar në ministrinë që udhëhiqet nga Faton Peci, nxiti reagime fundjavën që shkoi. Ministri nuk e mohoi këtë, por iu përgjigj akuzave me të bëmat, sipas tij, të PDK-së në Ministrinë e Bujqësisë. Presidenca nuk ka ndonjë koment.
Në Ministrinë e Bujqësisë që drejtohet nga Fatoni Peci, që është edhe bashkëkryetar i partisë “Guxo” sipas Partisë Demokratike të Kosovës është rehatuar vajza e tezes së Presidentes Vjosa Osmani, në pozitën e drejtores së Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë.
Bëhet fjalë për Venera Çerkinin, të cilën komisioni e ka vlerësuar si kandidaten më të mirë, ndonëse vëzhguesit, sipas një njoftimi të Ambasadës britanike, nuk e kanë parë si të tillë.
Në testin me shkrim, Çerkini kishte dalë më keq se dy kandidatë të tjerë. Megjithatë komisioni vlerësues, pas intervistimit, ka arritur ta rendisë Çerkinin të parën me gjysmë pike më shumë.
Nga Presidenca nuk janë deklaruar rreth reagimeve për vlerësimin e të afërmes së Osmanit dhe ndërlidhjes me të. Deri më tash, nuk është mohuar lidhja e Presidentes me Çerkinin, e as mundësia që Osmani të ketë intervenuar për përzgjedhjen së saj.
Koordinatori i Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Kabinetin në kuadër të asaj që njihet si “qeveri në hije” e PDK-së, Naim Ismajli, ka thënë dje se e afërmja e Presidentes u emëruar në pozitën që do t’i menaxhojë 68.9 milionë euro gjatë këtij viti”.
“Venera Çerkini, tezakja e presidentes Vjosa Osmani, u emërua drejtoreshë e Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë, institucion në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë që drejtohet nga ministri Faton Peci, bashkëpartiak me Osmanin në listën Guxo. Nga kjo pozitë, Venera Çerkini do të menaxhojë 68.9 milionë euro, të planifikuara për grante dhe subvencione për të gjithë fermerët e Kosovës”, shkroi Ismajli në Facebook.
PDK-së i ka reaguar vetë ministri Peci. Nuk ka thënë asgjë për vlerësimin e të afërmes së Presidentes, por i ka thënë Ismajlit “mos e shprushni marren”.
“Kur flet edhe PDK-ja për korrupsion dhe abuzime, marrja e Zotit! Po patët dëshirë, do t’ua listoj shkeljet ligjore me dhjetëra e qindra raste, me abuzime e shkelje ligjore në po aq raste me shifra milionëshe.
Gazetari Valon Syla ka pyetur se a është ky nepotizëm, duke thënë se ambasada britanike e ka vlerësuar familjaren e Presidentes si “jokompetente”.
“Ambasada britanike këtë tezakën e kish vlerësu jokompetente dhe joprofesionale dhe s’i ka jepë poena. A i thojnë kësaj pune nepotizëm? A i thonë sjellje korruptive?”, ka shkruar ndër të tjera Syla.
Një “vajzë e tezes” së Presidentes ishte përmendur edhe para disa muajve.
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, pas shkarkimit te rektorit Naser Sahiri, emëroi ushtruese detyre të kësaj pozite ka emëruar Luljeta Plakolli Kasumi. Në media u raportua se ajo ishte “tezake e Presidentes”.
Por, Plakolli-Kasumi, gjatë një deklarimi, kishte thënë se me Presidenten ishin “kushërira të largëta”.
Ndërkaq, në këtë fillimvit është raportuar edhe se vëllai i Presidentes, Ramadan Osmani, ka nisur punën në Bankën Qendrore të Kosovës, në pozitën e Mbikëqyrsit të Lartë të Bankave.












