Gjykatat e Republikës së Kosovës, brenda viteve 2019-2023, kanë shpallur tetë aktgjykime me burgim të përjetshëm ndaj tetë personave, ku asnjë dënim i shqiptuar i kësaj natyre nuk ka marrë epilog.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dënimi me burgim të përjetshëm shqiptohet për veprat penale më të rënda të kryera në rrethana rënduese ose për veprat penale që kanë shkaktuar pasoja shumë të rënda.
Sipas Kodit, burgimi i përjetshëm nuk mund t’i shqiptohet personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale nuk i ka mbushë njëzetenjë vjet dhe personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ka pasur aftësi esenciale të zvogëluara mendore.
Këtë dënim maksimal, gjykatat e Kosovës e kanë shqiptuar ndaj të akuzuarve Shefki Spahiu, Bajram Velija, Pjetër Ndrecaj, Trimor Lalinovci, Naser Pajazitaj, Gani Kriezi, Nuhi Mavroqani dhe Dardan Krivaqa, që të gjithë të akuzuar për vrasje të rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dënimet me burgim të përjetshëm në Kosovë të shqiptuar ndaj të akuzuarve të lartcekur, asnjëherë nuk kanë arritur të marrin epilog. Të gjitha aktgjykimet e shpallura me këtë dënim maksimal nuk kanë marrë vendimin e formës së prerë, pasi të njëjtat janë shfuqizuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e Kosovës.
Supremja ka liruar nga akuza njëri nga rastet kur ky dënim është shqiptuar, kurse në rastet tjera nga Apeli dhe Supremja dënimi është zbutur në 25-30 vite burgim.
Vrasja e punëtorit J.A nga ish-polici Shefki Spahiu në një kazino në Suharekë
Punëtori i kazinosë në Suharekë, J.A, nga ish-polici Shefki Spahiu ishte qëlluar nga një distancë 1 metër në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e të njëjtit.
Për këtë, Gjykata Themelore në Prizren më 24 shtator 2020, Spahiun e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Ndërsa më 2 prill 2021, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes së Spahiut dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.













