
Dy persona janë arrestuar mbrëmë rreth orës 20:00 në fshatin Glloboçicë, pasi u kapën në flagrancë duke kryer shantazh ndaj një personi të moshuar.
73-vjeçari që më shumë se dy vite vazhdimisht po shantazhohej nga dy persona të cilët janë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Ata e kërcënonin të moshuarin se do publikonin diçka në lidhje me të e që do t’ia cenonte nderin apo autoritetin e tij.
Por kjo mori fund dje, pasi rasti u denoncua në Polici nga e bija e të moshuarit.
Sinjali mëson se njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me ç’rast kanë përgatitur planin për arrestimin e të dyshuarve, të cilët u kapën mat.
73-vjeçari kishte lënë takim me dy të moshuarit mbrëmë që t’ua japë paratë në vlerë të 6 mijë eurove, në mënyrë që mos të bëheshin publike ato me të cilat po shantazhohej.
Por ‘mysafirë’ në këtë takim ishin edhe Policia të cilët ndërhynë dhe arrestuan në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave burrin dhe gruan nga Maqedonia e Veriut. Po ashtu bashkë me ta ishte edhe djali i mitur i 37-vjeçares.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku bëhet e ditur se të dyshuarit S.P. dhe M.S., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë kanosur të moshuarin, nga i cili kanë marrë shumën prej 200 mijë frangave zvicerane.
“Prokuroria Themelore ne Gjilan, në bashkepunim me Policinë e Kosovës- NJHK ne Gjilan, pas marrjes se informacionit se personat e dyshuar S.P. dhe M.S. shtetas te Maqedonise se Veriut, me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë kanosur të dëmtuarin M.S. banorë i Gjilanit se do të zbulojnë diç në lidhje me të, që do të dëmtojë nderin apo autoritetin e tij, në atë mënyrë që e detyrojnë të njejtin të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij , duke ia marr shumën prej 200,000 Franga Zvicerane”, thuhet në komunikatë.
Pas arrestimit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën ‘Shantazh’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që dy të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën kompetente”, thuhet tutje në njoftim.












