Në tkurrje është dhe popullsia e Kosovës, që është reduktuar me 10.2%, në krahasim me vitin 2003, kur raportohen për herë të parë të dhënat.
Bullgaria, Rumania, Kroacia dhe Shqipëria janë katër vendet që kanë shënuar rënien më të madhe të popullsisë së tyre në përqindje në krahasim me fillim vitet 1990 (nuk përfshihen vendet baltike).
Të dhënat janë publikuar sot nga Eurostat, në raportin për ecurinë e popullsisë së Europës që nga vitet 1960, me rastin e ditës botërore të popullsisë.
Sipas Eurostat, në vitin 2022, popullsia e Shqipërisë zbriti në 2.79 milionë banorë, që është niveli më i ulët që nga viti 1982. Në krahasim me fillim vitet ’90, popullsia është tkurrur me gati 15%.
Nga viti 1960, kur Eurostat raporton të dhënat, popullsia e Shqipërisë u dyfishua, duke kulmuar në vitin 1991 me gati 3.3 milionë banorë. Më pas, filloi tkurrja e ndikuar fillimisht nga emigracioni i lartë dhe më pas si nga rikthimi i ciklit të emigracionit dhe plakja graduale e popullsisë, e ndikuar si nga emigracioni, ashtu dhe nga numri i lindjeve.
Në 2020-2021, rënia e popullsisë u përshpejtua edhe për shkak të pasojave të COVID, që rriti ndjeshëm vdekshmërinë në vend,
Rekordin në Europë për tkurrjen e popullsisë nga fillim vitet 1990 e mban Bulgaria, me -21.1, e ndjekur nga Kroacia (-18.9) dhe Rumania (-17.9).
Popullsia e Serbisë, në raport me vitin 1995 (kur u nda nga Mali i Zi) ka rënë me gati 11%, ndërsa ajo e Malit të Zi me 2.4% për të njëjtën periudhë.












