Bizismeni që kishte përfituar grant prej 75,449 eurosh në kohën kur Faton Peci drejtonte Ministrinë e Bujqësisë, tash është pjesë e grupit të operatorëve ekonomikë që ka fituar një tender mbi 253 mijë euro në Komunën e Mitrovicës, të cilën e udhëheq po i njëjti politikan.
Bëhet fjalë për Hajrush Shoshin, kompania e të cilit, në bashkëpunim me NNP CTA dhe Intering Construction, është shpallur fituese e tenderit për “Rregullimin e Qendrës së Kulturës Aneksi A&B”.
Vlera e ofertës fituese është 253,065.50 euro. Në këtë aktivitet të prokurimit kishin konkurruar edhe katër operatorë të tjerë ekonomikë, ofertat e të cilëve janë eliminuar. Vendimi për shpalljen e fituesit është publikuar më 3 nëntor 2026.

Screenshot
Por, emri i Shoshit ishte shfaqur edhe më herët në aktivitetet publike të Faton Pecit. Në kohën kur ky i fundit ishte ministër i Bujqësisë, Shoshi kishte përfituar grant në vlerë prej 75,449 eurosh për ngritjen e një pemishteje me kumbulla në një sipërfaqe prej një hektari, në Dobrushë të Istogut, shkruan rajoni.org.
Madje, vetë Peci kishte publikuar në Facebook vizitën që i kishte bërë biznesmenit, duke e prezantuar atë si përfitues të grantit dhe duke përmendur investimet e realizuara me këto mjete.
Granti kishte përfshirë, përveç ngritjes së pemishtes, edhe rrethojat, sistemin e ujitjes pikë-pikë, mekanizmin bujqësor, hapjen e pusit dhe pajisjet për prodhimin e energjisë solare./Rajoni.org/















