Disa ditë pas identifikimit të personave të përfshirë në rrahjen që ndodhi më 12 qershor në parkingun e diskotekës ‘Venom’, në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, Policia ka arritur të arrestojë njërin nga të dyshuarit.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për të dyshuarin Lulëzim Gërxhaliun nga Vushtrria, i cili nuk e shijoi lirinë gjatë, pasi gjatë ditës së djeshme, Policia arriti ta lokalizojë vendndodhjen e tij dhe i njëjti u prangos.
Pas arrestimi, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë lidhur me rastin dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndryshe, Sinjali ka raportuar se lidhur me këtë rast po kërkohen edhe Shpëtim Gërxhaliu dhe Albert Kuqi, po ashtu nga Vushtrria.
Sipas burimeve personi që e pësoi nga kjo përleshje është një i ri nga Malisheva.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.












