Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Përtej Pediatrisë: Me çfarë kushtesh përballen pacientët në QKUK?

24/07/2026 - 15:03
në Lajme
A A
Përtej Pediatrisë: Me çfarë kushtesh përballen pacientët në QKUK?
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Ankesa e një nëne për papastërtinë dhe për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nxiti reagim të gjerë në mesin e publikut, por fotografi dhe dëshmi të siguruara nga Radio Evropa e Lirë tregojnë se problemet infrastrukturore dhe sanitare shtrihen përtej një klinike të vetme, në spitalin më të avancuar publik kosovar, në Prishtinë.

Në mes të të nxehtit të madh të mesit të korrikut, Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ishte e mbushur me prindër e me të afërm pacientësh, që hynin e dilnin pa ndërprerë.

Shqetësimi për shëndetin e të afërmve iu vërehej në fytyrë. Në duar, disa mbanin ushqime, ndërsa të tjerë jastëkë e shtroja.

Shumë prej tyre hezituan të flisnin për Radion Evropa e Lirë (REL) rreth kushteve në spital, duke thënë se “nuk duan telashe” dhe se “kushtet dihen”.

Më 15 korrik, Arian Cakaj nga Vushtrria e kishte sjellë për trajtim në Pediatrinë e QKUK-së djalin e tij 4-muajsh.

“Kjo klinikë është objekt i vjetër. Ato muret janë të vjetra… Por, sa i përket pastërtisë, është në nivel”, tha ky baba për REL-in.

Ai shtoi se stafi i spitalit ishte i kujdesshëm, dhe se familjes së tij nuk i munguan as çarçafët, ndonëse kishin marrë disa me vete, për t’iu gjendur foshnjës.

“Edhe ne mund ta kemi një shtëpi të vjetër, dhe sado që mund ta rregullojmë, prapë ajo është e vjetër”, tha Caka, duke shtuar se gjithmonë ka hapësirë për përmirësim të infrastrukturës.

Por, vetëm pak ditë më parë, një rrëfim krejt tjetër nxiti debat e reagime për kushtet e trajtimit në Klinikën e Pediatrisë, që është në krye të hierarkisë së shëndetësisë publike në Kosovë, si spitali më i avancuar.

Aulona Mehmeti, nënë e një dyvjeçari, më 12 korrik publikoi fotografi dhe përshkrime të kushteve në Pediatrinë e QKUK-së, ku shiheshin shtretër të njollosur me gjak e të dëmtuar, dhe tualete me mungesë privatësie e pastërtie.

Ajo, veç tjerash, u ankua edhe për mungesë shtrojash, të cilat tha se iu desh t’i huazonte nga një familjare e një pacienti tjetër.

Reagimi në Klinikën e Pediatrisë, pas publikimit të Mehmetit, ishte i shpejtë.

Për pak ditë, aty u bë ndërrimi i disa shtretërve, si dhe filloi riparimi i nyjave sanitare.

QKUK-ja hapi procedura disiplinore ndaj stafit, lidhur me ankesat për sjelljen e pjesëtarëve të tij, si dhe nisi hetimin administrativ lidhur me këtë rast.

Deri më tani, ky institucion nuk ka njoftuar për gjetjet eventuale të komisionit ad-hoc që po kryen hetimin.

Edhe A. I , një paciente tjetër, e cila qëndroi në Pediatri me djalin e saj nga fundi i qershorit deri në fillim të korrikut, i tha REL-it se kushtet ishin “katastrofale”.

“Më është dashur tri net të fle në tokë me djalin”, tha ajo, duke shpjeguar se një nga shtretërit që i ishte ofruar nuk ishte i përshtatshëm për fjetje.

Kjo nënë tha se ndihet mirë që rasti i Mehmetit “është trajtuar seriozisht”.

Për të dokumentuar nga afër gjendjen në këtë klinikë publike, REL-i kërkoi leje për të realizuar fotografime dhe xhirime brenda.

Me gjithë aprovimin fillestar nga Drejtoria e QKUK-së, leja u tërhoq me kërkesë të drejtoreshës së Klinikës së Pediatrisë, Alije Keka Sylaj.

Anulimi i lejes për datën 21 korrik, u bë me arsyetimin se klinika ishte në proces renovimi, ndonëse vazhdonte të funksiononte normalisht dhe të pranonte pacientë.

REL-i, megjithatë, siguroi fotografi të shkrepura më 15 korrik, para renovimeve në klinikë, dhe më 20 korrik, pas fillimit të tyre.

Institucionet pranojnë sfidat infrastrukturore
Pas reagimeve nga rasti i Mehmetit, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Keka Sylaj, pranoi kushtet jo të mira në Klinikë, por tha se ato po i adresojnë tash e një kohë.

“Nuk i mohojmë sfidat infrastrukturore të objektit të vjetër të Klinikës së Pediatrisë. Përkundrazi, ato janë evidentuar, dokumentuar dhe adresuar vazhdimisht nga menaxhmenti pranë institucioneve përgjegjëse”, tha ajo në një shkrim në Facebook, më 13 korrik.

Sipas saj, klinika ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme“renovimin e reparteve, nyjave sanitare, rehabilitimin e bodrumit, funksionalizimin e lavanderisë, dhe investime të tjera infrastrukturore”, ndërsa një pjesë e këtyre punimeve tashmë kanë nisur.

Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë thanë se nuk kanë mundur “të transformojnë krejt infrastrukturën shëndetësore”.

Në një reagim publik më 13 korrik, zëdhënësi i ministrisë, Durim Elshani, shtoi se intervenime janë bërë fillimisht aty ku ka pasur “më së shumti nevojë”.

“Standardi i një sistemi shëndetësor… matet edhe me pastërtinë e një dhome, me pastërtinë e një shtrati, me pastërtinë e një tualeti… Në këtë pjesë nuk e kemi pasur dorën e hekurt”, shkroi ai.

Sipas tij, për transformimin e plotë të Klinikës së Pediatrisë tashmë janë ndarë 1.25 milion euro, ndërsa punimet pritet të nisin vitin e ardhshëm.

Por, si është gjendja në klinikat e tjera të QKUK-së?
Hulumtimi i REL-it tregon se debatet për Pediatrinë janë vetëm një pjesë e një problemi më të gjerë.

REL-i ka siguruar fotografi nga disa klinika të QKUK-së, ku shihen dëmtime infrastrukturore dhe kushte jo të mira sanitare, veçanërisht në tualetet e përbashkëta.

Ndonëse Drejtoria e QKUK-së aprovoi një leje xhirimi për gjashtë klinika të QKUK-së, REL-i pati mundësi ta shihte nga brenda, pa u penguar, vetëm Klinikën e Gjinekologjisë.

Kjo klinikë, në të cilën, sipas të dhënave të qeverisë, ka pasur investime prej rreth 5.5 milionë eurosh nga viti 2024, ka tashmë disa reparte me kushte moderne, ndonëse ka ende reparte të parenovuara.

Në Klinikat e Kirurgjisë, Pulmologjisë, të Otorinolaringologjisë, e të Kirurgjisë Maksillofaciale, ndër të tjera, REL-i gjeti tualete të prishura, dyer që nuk mbylleshin, mungesë sapunësh të lëngshëm dhe letrash tualeti, si dhe papastërti të përgjithshme.

Viteve të fundit, Ministria e Shëndetësisë ka investuar miliona euro në renovimin dhe modernizimin e një sërë klinikash.

Sipas njoftimeve zyrtare të ministrisë, vetëm gjatë viteve 2023-2025, përveç investimeve në Klinikën e Gjinekologjisë, edhe rreth 2.8 milionë euro janë investuar për Klinikën e re të Ortopedisë.

Investime të tjera përfshijnë ato në Klinikën e Urologjisë, Klinikën Emergjente, atë të Kardiokirurgjisë, të Onkologjisë dhe të Kardiologjisë.

Mungesë higjiene në Klinikën Infektive: Çfarë panë inspektorët?

Një kontroll i jashtëzakonshëm në Klinikën Infektive, ku trajtohen sëmundjet ngjitëse, nxori në pah disa mangësi, që lidheshin me procesin e pastrimit dhe dezinfektimit.

Inspektorati Sanitar i Kosovës, që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, i konfirmoi REL-it se inspektimi u bë më 16 korrik 2026, pas ankesës së shoqërueses së një pacienti.

Sipas raportit të Inspektoratit, objekti ku funksionon Klinika Infektive është i vjetër, “ndërsa hapësira e dedikuar për stafin e pastrimit është në gjendje të amortizuar”.

Për të arritur deri te depoja ku ruheshin materialet e higjienës, inspektorët konstatuan se duhej kaluar nëpër korridore me lagështi të theksuar dhe ujë të grumbulluar, gjendje që, sipas tyre, paraqet rrezik për kontaminim.

“Gjatë kontrollit, u konstatua se stafi nuk ishte i pajisur dhe nuk përdorte pajisje personale mbrojtëse, përfshirë doreza dhe maska, gjatë kryerjes së punëve të pastrimit.”, tha Inspektorati.

Ndër të tjera, Inspektorati gjeti se “nuk pati lecka pastrimi të ndara sipas kodit të ngjyrave, ose sipas destinimit të përdorimit”.

Kjo, sipas tij, mundëson pastrimin e sipërfaqeve të ndryshme, pa rrezik të kontaminimit të kryqëzuar.

Ekipi i REL-it nuk arriti të siguronte qasje për të marrë pamje brenda kësaj klinike.

I pyetur lidhur me gjendjen e përgjithshme të kushteve sanitare në QKUK, Inspektorati tha se, sipas inspektimit të rregullt, në vitin 2026, kushtet infrastrukturore dhe higjieno-sanitare në shumicën e klinikave të QKUK-së janë “përgjithësisht të mira, dhe pasqyrojnë investimet e viteve të fundit”.

Edhe organizatat që mbrojnë të drejtat e pacientëve dhe të stafit shëndetësor vlerësojnë se kushtet infrastrukturore janë një ankesë legjitime për QKUK-në.

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) tha se problemi i kushteve në QKUK nuk qëndron vetëm te rasti publik i Pediatrisë.

“Problemi nuk është vetëm fotografia apo një rast i izoluar, por fakti se një numër i konsiderueshëm i pacientëve dhe familjarëve të tyre vazhdojnë të raportojnë kushte jo të denja për ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, tha kjo shoqatë për REL-in.

“Këto kushte ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien fizike dhe psikologjike të pacientëve. Përveç rritjes së rrezikut për infeksione spitalore, ato ndikojnë edhe në besimin e qytetarëve ndaj sistemit publik shëndetësor”, thuhet tutje në deklaratën e shoqatës.

Veç kësaj, PRAK-u kritikoi edhe qasjen mbrojtëse të institucioneve shëndetësore karshi kritikave të pacientëve.

“Ne besojmë se reagimi institucional duhet të fokusohet në adresimin e problemit, dhe jo në minimizimin apo relativizimin e tij. Kur qytetarët raportojnë shqetësime, institucionet duhet ta shohin këtë si mundësi për përmirësim, dhe jo si sulm ndaj tyre”, tha PRAK-u.

Edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës vlerësoi se problemet infrastrukturore nuk ndikojnë vetëm te pacientët, por edhe te personeli.

Kryetarja e Federatës, Tevide Imeri, tha se kushtet e amortizuara të punës janë një nga arsyet pse shumë profesionistë shëndetësorë largohen nga Kosova.

“Shëndetësia është një oqean me probleme. Nuk është një problem që izolohet në një klinikë ose në një repart. [Gjatë investimeve] të mos bëhet një lloj fasadimi, një lloj ngjyre, një lloj recepsioni ku shkon, pritet një shirit, dhe aty përfundon gjithçka”, u shpreh ajo.

Sipas Imerit, edhe vetë punonjësit shëndetësorë shpesh punojnë në ambiente jo të denja.

“Në shumë institucione nuk ke as zhveshtore për personelin. Tualetet janë katastrofë. Shpesh, punëtorët blejnë vetë materiale higjienike për përdorim gjatë punës”, tregoi ajo./REL/

JU REKOMANDOJMË

Rama: Në protestën për Zvërnecin pati ndërhyrje të huaja dhe manipulime me lajme të rreme

Nga 1 janari paga minimale 500 euro në Shqipëri
24/07/2026 - 14:59

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar të premten se në protestën kundër investimit në Zvërnec ka pasur “ndërhyrje të huaja brutale”, manipulime me lajme të rreme dhe...

Më shumëDetails

Kryeprokurori i Shtetit dhe Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit diskutojnë për thëllimin e bashkëpunimit ndërinstitucional

Kryeprokurori i Shtetit dhe Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit diskutojnë për thëllimin e bashkëpunimit ndërinstitucional
24/07/2026 - 14:54

Kryeprokurori i Shtetit, z. Zejnulla Gashi, priti në takim drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), z. Ylli Buleshkaj. Në këtë takim, Drejtori i APK-së z. Buleshkaj...

Më shumëDetails

Suedia do të ndalojë “kimikatet e përjetshme” në produktet e përditshme nga viti 2028

Suedia do të ndalojë “kimikatet e përjetshme” në produktet e përditshme nga viti 2028
24/07/2026 - 14:45

Suedia ka njoftuar planet për të ndaluar përdorimin e të ashtuquajturave “kimikate të përjetshme” në produktet e konsumit që nga viti 2028. “Ky është një fitore e madhe...

Më shumëDetails

Debati për gjyqtarët serbë, Kryesuesi-anëtarit të KGJK’së: Po kërkon vëmendje pasi këtë çështje e ngriti u.d. presidentja

Debati për gjyqtarët serbë, Kryesuesi-anëtarit të KGJK’së: Po kërkon vëmendje pasi këtë çështje e ngriti u.d. presidentja
24/07/2026 - 14:36

Në takimin e 371-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), është zhvilluar debat mes anëtarit Bashkim Hyseni dhe kryesuesit Rrustem Thaqi lidhur me trajtimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve...

Më shumëDetails

Konjufca: Suedia, partnere e rëndësishme e Kosovës

Konjufca: Suedia, partnere e rëndësishme e Kosovës
24/07/2026 - 14:30

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, Jonas...

Më shumëDetails

Babai goditi për vdekje një grua, i biri riparoi mjetin për të fshehur ngjarjen – arrestohen të dy

Babai goditi për vdekje një grua, i biri riparoi mjetin për të fshehur ngjarjen – arrestohen të dy
24/07/2026 - 14:28

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, babë e bir, pas një aksidenti të ndodhur në autostradën “Durrës-Tiranë” ku humbi jetën një 74-vjeçare. Identifikohet dhe arrestohet 65-vjeçari që...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Policia deklarohet për Veriu.info për plagosjen në Vushtrri: I dyshuari gjendet në arrati (Video)

    Policia deklarohet për Veriu.info për plagosjen në Vushtrri: I dyshuari gjendet në arrati (Video)

    217 Shpërndaje
    Shpërndaje 87 Tweet 54
  • Dr. Gëzim Bajrami sfidon vendimin e shtetit, kryen analiza në poliklinikë edhe pas pezullimit të veprimtarisë

    123 Shpërndaje
    Shpërndaje 49 Tweet 31
  • Ndërpritet emisioni, analisti i vërsulet Nexhmedin Spahiut

    121 Shpërndaje
    Shpërndaje 48 Tweet 30
  • Euroja ndryshon pamje pas më shumë se 20 vitesh

    106 Shpërndaje
    Shpërndaje 42 Tweet 27
  • LAJMI I FUNDIT: Plagoset një person në Vushtrri

    105 Shpërndaje
    Shpërndaje 42 Tweet 26

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë