Kryeministri i Kosovës, Allbin Kurti sot ka vizituar Komunën e Çairit, ku edhe bashkë me kryetarin e komunës Visar Ganiun dhe deputetin e nismëtarin e Partisë Politike Lëvizja Demokratike, Izet Mexhitin ku kanë bërë promovimin e rrugës “Adem Demaçi”.
Qindra qytetarë si dhe personalitete morën pjesë në promovimin e rrugës.
“Sot po lëmë edhe një gjurmë historike për të gjithë shqiptarët ngado që janë dhe konkretisht nga Shkupi ynë. Këtu pranë memorialit të UÇK-së, gjegjësisht pranë Shqiponjës dhe në zemër të Çairit, së bashku, shqiptarët nga të gjitha trojet jemi mbledhur dhe po e jetësojmë veprën e një njeriu gjigand, me veprat e të cilit u kalitëm e jetuam dhe sot po mundohemi që të njëjtat ti bëjmë pjesë e përhershme e memories sonë kolektive kombëtare”, tha në fjalimin e tij kreu i Çairit Visar Ganiu.
Ai më tej përkujtoi se Adem Demaçi, ishte luftëtari simbol për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, njëri ndër themeltarët kolosal të shtetësisë së Kosovës, emblema politike e UÇK – së, njeriu vetëmohues i betejave paqësore dhe luftarake, por dhe i penës.
Ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti vuri në dukje se në Kosovë ka disa rrugë që e mbajnë emrin Adem Demaçi, por emërtimi i një rruge këtu në Maqedoninë e Veriut, në Komunën e Çairit ka një rëndësi të veçantë. Të pranishmëve ju drejtua edhe mbesa e Adem Demaçit, Fitore Shaini.













