David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, ka komentuar krizën aktuale politike në Kosovë, duke vlerësuar se përgjegjësia për ngërçin institucional është e përbashkët mes të gjitha partive politike.
Duke folur për mundësinë e një formule të bashkëqeverisjes, Phillips thotë se një zgjidhje e tillë mund të ndihmojë në tejkalimin e krizës politike.
Sa i përket insistimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që marrëveshja për presidentin të arrihet para konstituimit të plotë të Kuvendit, Phillips e sheh këtë si njëkohësisht strategji politike dhe sfidë serioze për institucionet demokratike të Kosovës.
“Marrëveshja për presidentin është edhe strategji politike, por edhe një sfidë serioze për kredibilitetin e Kosovës. Miqtë e Kosovës janë lodhur dhe kanë pasur mjaft nga kjo luftë për pushtet”, ka deklaruar Phillips.
Ai thekson se zgjatja e krizës institucionale mund të dëmtojë më tej pozitën e Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë.
Philips, duke komentuar mundësinë që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, thotë se një skenar i tillë nuk do të ishte zgjidhje e qëndrueshme.
“Një zgjedhje e parakohshme ndoshta do të prodhonte të njëjtin rezultat si përpjekjet e mëparshme. Zgjedhjet e përsëritura vetëm do ta zhgënjejnë elektoratin dhe do ta dekurajojnë mbështetjen e miqve të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar”, është shprehur ai.
Sipas Phillips, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të angazhohen më drejtpërdrejt në zgjidhjen e krizës. Ai propozon që SHBA-ja të emërojë një të dërguar special me kompetenca të ngjashme me ato të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë (OHR).
“Një i dërguar special i SHBA-së, me kompetenca të krahasueshme me Përfaqësuesin e Lartë të OHR-së, duhet të diktojë një kompromis dhe një kalendar për rotacionin”, ka thënë Phillips për Front Online.
I pyetur se cili do të ishte skenari më i mundshëm për Kosovën nëse Kuvendi vazhdon të mbetet i bllokuar, Phillips është i drejtpërdrejtë në përgjigjen e tij:
“Turp”, u përgjigj ai.












