Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka njoftuar se është arrestuar asamblisti i kësaj partie Arianit Beqiri.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se Beqiri u arrestua në sheshin e Prishtinës pasi sipas tij ka refuzuar të paguajë hyrjen në hapësirën publike ku po shfaqen ndeshjet e futbollit.
“Asamblisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Arianit Beqiri u arrestua në sheshin e Prishtinës sepse refuzoj të paguaj hyrjen në hapësirën publike ku po shfaqen ndeshjet e futbollit. Për uzurpimin e hapësirave publike të qytetarëve fajtor është Përparim Rama dhe partia e tij, për dhunën e shfaqur nga polici i cili e godet me shkelm Ariantin, duhet të merret Inspektorati Policor”, ka shkruar ai.
“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar përgjigje edhe nga Policia lidhur me këtë rast, mirëpo deri në publikimin e lajmit nuk janë përgjigjur.