Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar me urdhërarrest në Deçan, i cili ishte dënuar me katër vjet burgim.
Rasti ka ndodhur më 3 tetor, rreth orës 11:15, në rrugën “Fatmir Nimonaj”, ku zyrtarët policorë kanë lokalizuar dhe arrestuar personin me inicialet Xh. Th.
Sipas Policisë, ai kërkohej për veprat penale “Vjedhje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.
Gjatë arrestimit, i dyshuari ka bërë rezistencë dhe ka tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes, por zyrtarët policorë kanë arritur ta vënë nën kontroll.
Pas procedurave në Stacionin Policor në Deçan, personi është dërguar për t’u dorëzuar te institucionet përkatëse për ekzekutimin e dënimit prej katër vjetësh burgim.













