Policia ka dhënë detaje rreth aksidentit të shkaktuar nga ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, të dielën në rrugën “Vicianum” të Prishtinës.
Në raportin 24 orësh, policia i referohet Hajdarit si “e dyshuara femër kosovare” e cila përderisa ishte duke drejtuar veturën, ka goditur viktimën mashkull kosovar.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet tutje në raport.
Kurse, dje sipas një raporti të publikuar në media arsyeja e aksidentit të shkaktuar është “mos-përshtatja e shpejtësisë sipas kushteve të rrugës”.
“Me datë 10.04.2022 rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Auto 1 Ford Fiesta ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari FSHK e lindur *****. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur me **** 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës”, thuhet në raportin zyrtar të PK-së.
Ndërkohë, mbrëmjen e së dielës, Hajdari ka dalë me një deklaratë në llogarinë e saj në Facebook, duke thënë se përderisa ishte duke vozitur, dy fëmijë ishin shfaqur papritur në rrugë, duke shtuar se njëri prej tyre ishte përplasur me veturën e saj.
“Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmijës dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit”, ka shkruar ajo ndër të tjera.













