
Me 1 maj, mbi 80 mijë punonjësve të sektorit publik u janë ekzekutuar pagat.
Në këto paga nuk janë llogaritur edhe shtesat për rrezikshmërinë në punë.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave kanë thënë se shtesat e muajit shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.
Për këtë, sindikata e policisë u ka dhënë ultimatum Qeverisë deri në muajin qershor.
Kreu i Sindikatës, Imer Zeqiri tha për Front Online se janë në pritje të një takimi me ekzekutivin.
Zeqiri tha se pas daljes së pagës të qershorit nëse nuk dalin shtesat, do të vendosin për hapa sindikal.
Tutje, ai tha se Qeveria po gjen arsyetime për mos-ekzekutimin e shtesave për rrezikshmërinë.
“Nuk e kemi asnjë lajm se a ekzekutohen apo jo. Ne do ta kemi edhe një takim me Qeverinë në momentin kur ekzekutohen pagat që të jemi të njoftuar se a janë dalë shtesat apo jo dhe do të vendosim për hapa sindikale varësisht prej kërkesave të policëve ashtu do të veprojmë, do presim vetëm deri në fund të muajit. Ata vetëm po arsyetohen për këto shtesa se s’ kanë pas mundësi të bëjnë llogaritjen e mjeteve për me i vendos shtesat apo kanë të tjera telashe unë nuk e di”, u shpreh Zeqiri.
Ditë më parë kritika për shtesat kanë shprehur edhe sindikatat tjera.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, ka thënë për Front Online se MF-ja çdo muaj po premton për shtesat, por ekzekutimi po mungon.
Ai tha se do t’i drejtohemi zyrtarisht institucioneve nëse nuk dalin shtesat në muajin qershor
Edhe Shërbyesit Civil kanë shprehur pakënaqësi për mos ekzekutimin e shtesave për rrezikshmërinë në punë.
Edhe Mursel Zymberi, kreu i Shërbyesve Civil tha se nuk presin as në muajin qershor të ketë ekzekutime të shtesave nga Qeveria.
Ligji për pagat ka hyrë në fuqi më 5 shkurt dhe është përcaktuar koeficienti në vlerë prej 105 eurosh për vitin 2023. Ndërsa me 7 prill i njëjti ligj është dërguar në Kushtetuese nga avokati i Popullit me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën.












