
Kontrata e tenderit të automarimangës për largimin e veturave që parkohen në kundështim me rregullat e komunikacionit në komunën e Mitrovicës ka skaduar, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Kjo automarimangë përdoret me kërkesën e policisë për largimin e veturave të parkuara në vende të ndaluara.
Drejtoria e Shërbimeve Publike në komunën e Mitrovicës nuk e ka rivitalizuar ende kontratën e re.
Se kjo kontratë ka skaduar e ka konfirmuar edhe drejtori i këtij dikasteri në Mitrovicë, Granit Tmava.
Ai në një prononcim për Gazetën Online Veriu.info ka thënë se kontrata ka skaduar, ndërsa çështja e kontratës së re është në procedura të prokurimit publik.
Po ashtu skadimin e licencës e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Ju njoftojmë se nga muaji gusht 2023, operatorit (kompanisë ) për zhvendosjen e automjeteve në Mitrovicën e Jugut i ka skaduar licenca. Mosfunksionimi i kompanisë për zhvendosjen e automjeteve për nevoja operative në trafikun rrugor paraqet vështirësi për policinë.” – ka thënë Zahiti për Veriu.info.












