Çdo ditë në Policinë e Kosovës raportohen raste të shumta të dhunës në familje, ku kryesisht viktima janë gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur në rrugën “Zahir Pajazit” në Podujevë para dy ditësh, por siç ndodh zakonisht është raportuar një ditë më vonë.
Sinjali mëson se një grua e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunën që ka ushtruar, duke i shkaktuar frikë e pasiguri.
Burri nga Podujeva S.M., po dyshohet se ka sulmuar fizikisht gruan e tij pas një mosmarrëveshje të momentit, me ç’rast ajo ka pësuar lëndime trupore.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që zgjidhja më e mirë është që të kërkohet ndihmë nga Policia, duke e raportuar të dyshuarin.
Policia është vënë në veprim dhe ka prangosur burrin e dyshuar, ndaj të cilit Prokurori ka iniciuar rast dhe i njëjti është dërguar në ndalim policor prej 48-orësh.













