
Krerët e shtetit në 25-vjetorin e kalimit të Nënë Terezës saj në amshim dhe 6-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku, kanë vizituar motrat e Nënës Terezë në Pejë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ndihma e këtyre motrave shkon edhe përtej mureve, derisa falënderoi të gjitha për punën e tyre që bëjnë vazhdimisht.
“Ndihma e tyre shkon edhe shumë përtej mureve të kësaj ndërtese, sepse vizitojnë edhe shumë familje këtu në Pejë, familje që kanë nevojë dhe këtë shërbim, këtë mision janë duke e kryer këto 30 vitet e fundit apo edhe më shumë. Motrat e Nënës Terezë vinë nga vende të ndryshme të botës…Ndihemi krenare me shembullin që la pas Shën Tereza e cila doli nga populli shqiptar por u bë nëna e të gjithëve me ndihmën që dha”, tha ajo.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti është shprehur krenar me punën e Nënës Terezë, derisa tha se ajo është ideal që duhet ndjekur secili.
“Me rastin e gjashtë vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë, e cila me punën e saj të pamatshme, me sakrificën e saj të jashtëzakonshme, me dashurinë e saj të pa krahasueshme, duke mos kërkuar as shpagim e as shpërblim, u bë nëna e gjithë botës dhe na shtoi krenarinë neve si popull, si komb prej gjirit të së cilës doli ajo. Sot e përkujtojmë Nënën Terezë, jo vetëm për angazhimin sakrifikues të saj, por edhe si ideal që duhet të ndjekim secili prej nesh, kur duam t’i shërbejmë popullit dhe qytetarëve”, tha Kurti.











