Prishtina ka triumfuar në finalen e Kupës së Kosovës duke mposhtur Llapin me rezultat minimal 1:0, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndeshja u vendos në pjesën e dytë, kur Llapi mbeti me një lojtar më pak. Arbnor Ramadani u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 58-të dhe u përjashtua nga loja, duke lënë skuadrën e Podujevës me dhjetë futbollistë.
Vetëm dy minuta më vonë, në minutën e 60-të, Prishtina përfitoi nga epërsia numerike dhe shënoi golin e fitores përmes Albin Krasniqit, i cili i dha ekipit të tij trofeun.
Me këtë fitore, Prishtina jo vetëm që fiton trofeun e rëndësishëm të Kupës së Kosovës, por siguron edhe një vend në garat evropiane për sezonin e ardhshëm, duke rikthyer klubin kryeqytetas në skenën ndërkombëtare pas katër vjetësh.
Një natë e madhe për bardhekaltrit dhe tifozët e tyre, që tashmë kanë arsye të ëndërrojnë për suksese të reja në Europë.