
Me kërkesë të prokurorit special Valdet Gashi është anuluar seanca e paraparë për të hënën në rastin e njohur si “Veteranët”.
Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes faqes zyrtare të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ju njoftojmë se seanca gjyqësore në çështjen penale PKR.nr.241/22 me të akuzuar A.Ç etj, e cila ka qenë e caktuar të mbahet me datë 18.09.2023 në ora 09:15 është shtyrë, e njëjta është caktuar të mbahet me datë 28.09.2023, në ora 09:30”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të gjykatës ndryshimi i datës është bërë me kërkesën prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi që i njëjti gjendet në udhëtim zyrtar.
Kujtojmë se seanca e 15 qershorit 2023, kishte dështuar për shkak se të akuzuarit Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Xhavit Jashari, nuk kishin angazhuar avokatë.











