
Kreu i Bashkësisë Islame në Obiliq, imami Behar Mjekiqi, ka përfunduar në Polici më 20 dhjetor, pasi u denoncua nga gruaja me të cilën bashkëjetonte, nën dyshimet se ka ushtruar dhunë në familje.
Mjekiqi po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht partneren e tij, duke e tërhequr zvarrë dhe më pas e ka dëbuar nga shtëpia. Imami dhe viktima e cila është nga Maqedonia e Veriut kanë qenë në lidhje dashurie që një kohë, por mosmarrëveshjet mes tyre eskaluan dhe për pasojë rasti përfundoi në Polici.
Ndonëse në raste të tilla, Prokurori i Shtetit lëshon urdhër për masë sigurie, këtë herë, Prokurori Musa Mehaj ka urdhëruar lirimin e Mjekiqit, të cilin ka vendosur ta hetojë në procedurë të rregullt për veprën penale “Dhunë në familje”.
Kjo është konfirmuar edhe nga vet prokurori, i cili në një prononcim për Sinjalin nuk dha shumë detaje dhe kërkoi që të mos i bëhen pyetjet, duke thënë se rastet e tilla janë të ndjeshme.
“Detaje është herë shumë, shumë herët është. Rasti është hap si Dhunë në familje, kaq. E kam liruar në procedurë të rregullt. Të gjitha veprimet i kom marrë dhe ashtu qëndron. A ke diçka tjetër? Tona veprimet, tonat vijnë me kohë. Lënda është në hetim, kaloni mirë”, tha Mehaj për Sinjalin.
Sipas informacioneve të para, rasti është denoncuar në Polici mbrëmjen e së martës, kur viktima e cila po qëndronte në fshatin Mazgit, në shtëpinë e të dyshuarit kishte kërkuar ndihmën e Policisë. Në deklaratën e saj që e kishte dhënë para hetuesve thuhej se Mjekiqi e ka lëshuar nga shtëpia në të cilën kishin jetuar, për motive ende të panjohura.
Policia kishte intervenuar, por fillimisht nuk e kishte gjetur imamin në shtëpi, teksa viktima ishte shoqëruar në stacion policor, për t’u intervistuar nga hetuesit mbi atë që kishte ndodhur në shtëpinë e imamit.
Siç mëson Sinjali, Mjekiqi ishte paraqitur vet në stacion policor, ku ka dhënë versionin e tij dhe është përballur me denoncimin për dhunë në familje. Me të përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka vendosur që ta lë të lirë Mjekiqin dhe ndaj tij është iniciuar rasti për dhunë në familje.
Në anën tjetër, viktima ka kërkuar ndihmë nga Policia për t’u larguar nga Kosova, me ç’rast një njësi policore e ka përcjellë deri në hyrje të autostradës Prishtinë – Shkup.
Kujtojmë se Sinjali ka kontaktuar disa herë Mjekiqin, por i njëjti ka vendosur të hesht dhe nuk është përgjigjur në asnjë telefonatë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.












