Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin e ndodhur më 7 gusht 2026 në fshatin Orroberd, Komuna e Istogut, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Kanosja”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dyshimit të bazuar, “më 7 gusht 2026, rreth orës 20:40, në fshatin Orroberd, Komuna e Istogut, pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet të pandehurit dhe të dëmtuarit D.H., ka pasur një përleshje fizike, me ç’rast i pandehuri dyshohet se ka nxjerrë një pushkë gjuetie të modifikuar dhe ka shtënë në drejtim të të dëmtuarit, duke e goditur në kofshën e majtë dhe duke i shkaktuar lëndime trupore të rrezikshme për jetën. Pas incidentit, i pandehuri dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për armët, ka mbajtur në pronësi dhe posedim të paautorizuar armë, përfshirë pushkën e gjuetisë së modifikuar me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe një armë të shkurtër (revole), për të cilat nuk rezulton të ketë qenë i pajisur me leje përkatëse nga organet kompetente”, vijon njoftimi.
Ndërkaq, “më 8 gusht 2026, rreth orës 20:53, i pandehuri dyshohet se, përmes rrjeteve sociale, ka bërë një publikim me përmbajtje kërcënuese ndaj personave zyrtarë, duke i kanosur seriozisht me dëmtim përmes përdorimit të armëve të zjarrit dhe mjeteve shpërthyese”, theksohet tutje.
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, “ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për kërkimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtën ia ka paraqitur Gjykatës kompetente për vendosje”.












