Reagimi i Von Cramon ishte mjaft i ashpër, ku theksoi mesazhin e qartë se lajmet e rreme, fushatat dezinformuese e propaganda qeveritare do të dobësojnë shanset e Kosovës për të përparuar shpejt.
“Lajmet e rreme, fushatat desinformuese, propaganda qeveritare apo edhe falsifikimet e thella me bota dhe trolls nuk do të ndryshojnë patjetër pozicionin e askujt, por thjesht do të dobësojnë shanset e Kosovës për të përparuar shpejt. Është e trishtueshme për vendin”, shkroi ajo në platformën sociale X.
Von Cramon ka bashkangjitur postimin e ish-diplomatit të Kosovës, Petrit Selimi, për këtë çështje, i cili ka shkruar se llogari në platformë që mbështesin partinë në pushtet në Kosovë po sulmojnë secilin të huaj – ambasador, eurodeputet, emisar – që ka ndonjë kritikë për liderin e tyre, Albin Kurti.
“Jam i shqetësuar kur shoh llogari që sulmojnë personalisht miqtë e Kosovës, si Viola von Cramon (dhe stafi i saj), ambasadorët e QUINT-it dhe diplomatët (disa prej të cilëve ashtu si Hovenieri e kanë ndihmuar Kosovën që nga koha e Ahtisaarit ose Rambujesë), Ali Ahmetin, Edi Ramën, e të tjerë”, shkroi Selimi.
Për këtë ka reaguar edhe vetë Bojoviq, i cili ka bërë të ditur se përmes një numri postimesh, kryesisht nga Kosova, ka filluar një fushatë e koordinuar online kundër tij, ku thuhet se ai i ka mohuar krimet e kryera në vitet ’98-’99 dhe se nuk është i përshtatshëm të jetë këshilltar i Viola von Cramonit, “si spiun rus/agjent serb”.
Bojoviq në rrjetin social “X”, ka shpërndarë edhe postimet ku ai kritikohet për deklaratat e tij të vitit 2015, ndërsa ka përfshirë edhe një video ku thotë se bëhen disa gabime kur disa krime të kryera në Kosovë quhen gjenocid sepse ato nuk ishin gjenocid, por krime të luftës
“Nëse ideja ka qenë që të më frikësojnë apo të më diskreditojnë – më vjen keq, por keni dështuar”, ka shkruar ai tutje.
Në mesin e postimeve kritikuese që ka shpërndarë Bojoviq është edhe ai i shkruar nga Sharr Jakupi, ish-shef i stafit në kabinetin e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.
“Për fat të keq, Viola von Cramon nuk është e vetmja zyrtare e Brukselit që bashkëpunon me mohuesit e gjenocideve dhe krimeve të luftës. Kjo çështje shtrihet nga zyrat e deputetëve deri te zyrtarët e lartë, duke zbuluar një tërheqje shqetësuese ndaj perspektivave shoviniste ruse/serbe”, shkroi Jakupi.
Për rastin e Bojoviqit ka reaguar edhe “Youth Initiative for Human Rights”, organizatë kjo në të cilën ai kishte punuar më 2015.
“Ne besojmë se të rinjtë kanë të drejtën të bëjnë pyetje që iu interesojnë, ta shprehin opinionin e tyre dhe të vënë në pyetje narrativat dominuese të imponuara nga elitat politike. Roli i tyre në ballafaqimin me të kaluarën është të ndërtohet një kulturë demokratike gjithëpërfshirëse, dhe lejon bisedat që respektojnë viktimat”, thuhet në deklaratën e YIHR-së.












