Prokuroria Speciale është deklaruar lidhur me intervistimin e ish -Kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi.
Zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Liridona Kozmaqi i ka thënë Gazetës Express, se ai është paraqitur për intervistim me ftesë të kësaj prokurorie për një çështje që e kanë nën hetim
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur Ju informoj se N.K. është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. I njëjti është intervistuar në cilësinë e të pandehurit për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, ka thënë ajo.
Avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, i ka thënë Gazetës Express se nuk bëhet fjalë për hetime të reja.
“E konfromoj intervistimin. Intervistimi ka qene interviste e dytë sa i përket procedures hetimore për keqpërdorim te detyrës zyrtare qe ka filluar ne janar të vitit 2023”, ka deklaruar Krasniqi për Express.
Ndryshe, Krasniqiti është ngritur një aktakuzë nga Prokuroria Speciale në gusht të këtij viti. Dyshimet janë se ai kishte filluar të keqpërdorë detyrën zyrtare ende pa i bërë dy javë nga dita kur ishte emëruar në këtë pozitë e deri ditën kur ishte arrestuar, në prill të vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK’un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
Aty thuhet se Krasniqi dyshohet se i ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e energjisë në Kosovë, pa pasur e njëjta licencë.
Keqpërdorimin e detyrës dyshohet se ai e kishte filluar ende pa i bërë dy javë nga marrja e detyrës së Kryeshefit. Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë me 4 tetor 2021.
Nga veprimet e Krasniqit thuhet se KEK është dëmtuar për mbi 3 milionë e 230 mijë euro.