Një punëtor ndërtimi që po punonte në projektin banesor në lagjen Lakrishte në Prishtinë, të realizuar nga “Sherreti Group”, është incizuar duke kryer punime në kundërshtim me Ligjin për Siguri në Punë. Në videon e siguruar nga Gazeta Insajderi, punëtori shihet duke punuar në katet e larta të objektit, pa asnjë pajisje mbrojtëse.
Videoja me përmbajtje shqetësuese, e cila ka arritur në adresë të Gazetës Insajderi, tregon punëtorin teksa ngjitet në skelat e jashtme të objektit dhe vazhdon punimet pa helmetë, pa litarë sigurie dhe pa pajisjet tjera mbrojtëse që kërkohen me ligj. Kjo situatë përbën rrezik serioz për jetën e tij.
Gazeta Insajderi ka hetuar mbi projektin dhe ka konstatuar se ai po realizohet nga kompania “Sherreti Group”, përmes kompanisë së ndërtimit “Cullinan LLC”. Përmes një njoftimi në Facebook, Sherreti Group e ka prezantuar publikisht kompaninë “Cullinan LLC” si realizuese të punimeve.

Sipas të dhënave të ARBK-së, kjo kompani figuron në pronësi të vëllezërve Avdiu nga Ferizaj, të cilët janë edhe pronarë të “Auto Sallonit Sherreti”. Në regjistër figurojnë si pronarë Diamand Avdiu dhe Fehat Zeqiri.

Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje zyrtare tek kompania “Cullinan LLC” lidhur me përmbajtjen alarmuese të videos ku rrezikohej jeta e punëtorit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, kompania nuk ka kthyer përgjigje.
Videoja është adresuar gjithashtu edhe tek Inspektorati i Punës për marrjen e masave urgjente, mirëpo as ky institucion nuk ka konfirmuar nëse ka nisur hetimet në terren.
Pamjet:
Kujtojmë se në Kosovë vazhdimisht raportohen raste tragjike ku punëtorët humbin jetën në vendin e punës si pasojë e mungesës së pajisjeve mbrojtëse dhe kushteve elementare të sigurisë. Vetëm muajin e kaluar, dy ngjarje të rënda në Ferizaj dhe Gjilan rezultuan me vdekjen e dy të rinjve, të cilët u rrëzuan nga lartësia e objekteve ku punonin.













