Qeveria kroate do të lejojë presidentin serb Aleksandar Vuçiq të vizitojë Jasenovcin, konfirmoi një burim i afërt me qeverinë kroate në një deklarim për gazetën Jutarnji list.
“Kroacia do të lejojë ardhjen e presidentit Aleksandër Vuçiq në Jasenovc, por kjo është një ngjarje që duhet të dakordohet përmes kanaleve diplomatike”, tha një burim i afërt me qeverinë kroate, raporton Jutarnji List.
Ky burim i afërt me qeverinë kroate tha se lejimi i hyrjes së Vuçiqit në Kroaci mund të ndodhë rreth vjeshtës, pasi të jenë dakorduar të gjitha kushtet mes dy shteteve nëpërmes kanaleve diplomatike.
Gazeta Jutarnji list bëri të ditur të dielën se Vuçiq kishte planifikuar të vizitonte privatisht Jasenovcin dhe Pakracin, por autoritetet kroate nuk i kanë dhënë leje që të vizitojë këto lokacione.
Siç raportohet, pa njoftim zyrtar për autoritetet kroate, pa koordinim me ambasadën, Vuçiq ka dashur që ta kalojë kufirin nga Bosnja dhe Hercegovina, gjegjësisht Republika Sërpska dhe të mbërrijë në Jasenovc rreth orës 11:00 dhe më pas në Pakrac rreth orës 14:00.












