Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka kërkuar sqarim nga Jeta Xharra, drejtuese e mediumit Kallxo.com, pasi në të njëjtin u publikuan shkrime nga profili famëkeq “Lule Gjeli”.
Rama në një shkrim në rrjetin social Facebook i ka drejtuar disa pyetje Xharrës.
“1. Kush është autori me emrin “Lule Gjeli”?
2. Çfarë bashkëpunimi tjetër kanë pasur me Lule Gjeli?
3. Në cilën periudhë kohore ka bashkëpunuar me të, sa ka zgjatur ky bashkëpunim, a është paguar ajo/ai për publikimet e saj dhe me çfarë fondesh është paguar?
4. A ka qenë ndonjë politikan i përfshirë në diskutimet gjatë angazhimit të Lule Gjelit në publikimin e “opinioneve” pro qeveritare?
5. A do t’i kërkoni falje qindra viktimave, një prej të cilave jam edhe unë, për dëmin që u ka shkaktuar profili Lule Gjeli?”.
Ai ka thënë se pret sqarim publik deri të hënën në lidhje me këtë çështje, dhe se do të rishqyrtohet forma e bashkëpunimit dhe mbështetjes për BIRN Kosova.
Nëse të njëjtat nuk përmbushen, ai ka thënë se do të kërkojë ndërperjen e këtij bashkëpunimi.
“Unë pres reagim dhe sqarim publik më se largu deri të hënën. Deri atëherë, dhe derisa këto çështje të jenë sqaruar plotësisht, në mënyrë transparente dhe bindëse, Kryeqyteti do të rishqyrtojë çdo formë të bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale me BIRN Kosovën. Nëse sqarimet nuk i përmbushin standardet e transparencës që qytetarët meritojnë, do të kërkoj ndërprerjen e çdo bashkëpunimi institucional me BIRN Kosovën”, ka shkruar ai.













