Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media theksoi se një shtyse e re, konkrete, nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e SHBA, për finalizimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është sot një domosdoshmëri po aq alarmante sa situata në degradim të vazhdueshëm në veriun e Kosovë.
Rama theksoi më tej se interesi ynë kombëtar e interesi i Shqipërisë si shtet kërcënohet nga kjo situatë dhe siç tha ai “ky rajon nuk është as i Albinit as i Aleksandrit, ky rajon është i popujve, shteteve që e popullojnë dhe që e administrojnë”.
“Ky rajon ka vuajtur boll nga nacionalistët, nga nacional-folkloristët dhe përplasjet e vazhdueshme të cilat mund edhe të kenë pasur justifikimet e tyre në kohërat tjera, por si kanë më sot në mes të një Evrope që kërkon me çdo kusht të mbështesë paqe”, tha më tej kryeministri i Shqipërisë.
Sipas tij, kjo situatë i shkon për shtati vetëm Rusisë.
Tutje kryeministri shqiptar ka i ka bërë thirrje Serbisë që t’i lirojë sa më parë policët e rrëmbyer duke thënë se ata po mbahen peng në Serbi.
“Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme dhe e papranueshme ndërsa përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore për mbajtjen pa asnjë të drejtë të tre policëve të huaj në burgun e një shteti tjetër, duke ngritur zërin për arrestimet në veri nga forcat policore të Kosovës është shqetësuese sepse shtetet demokratike nuk i përgjigjen kurrë në mënyrë simetrike shkeljeve të pretenduara të të drejtave të bashkëkombasve të një shteti tjetër. Nëse Serbia ka pretendime për arrestime arbitrare në veri të Kosovës, këto nuk argumentohen duke mbajtur peng tre policë shqiptarë ne Serbi por duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar dhe mbi të gjitha duke vepruar konkretisht aty ku është edhe origjina e kësaj problematike që është marrëdhënia që duhet normalizuar, që është marrëveshja që duhet finalizuar”, ka thënë Rama.












