
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kërkuar lirimin e tre policëve të Kosovës nga ana e Serbisë këtë javë. Duke publikuar thirrjen e Departamentit amerikan të Shtetit për lirimin e menjëhershëm të policëve, Rama paralajmëroi Serbinë se kjo “do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen”.
Rama gjithashtu paralajmëroi hapa mbrapa në marrëniet bilaterale ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur shqetësimin e tij se tensionet mes Serbisë dhe Kosovës po rriten, dhe ka theksuar se është në interesin e të dy vendeve që situata të stabilizohet dhe të mos ndodhë një rikthim prapa.
Rama ka theksuar se nëse tensioni vazhdon të rritet, ka rrezik që Serbia të përpiqet të izolohet dhe të kthehet në një kohë të errët.
Ai ka thënë se në këtë rast, Kosova mund të humbasë shumë, pasi Serbia mund të kërkojë ndërhyrjen e KFOR-it në veri.
“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!
Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!
E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!“, ka shkruar Rama.












