Kryeministri Edi Rama bashkë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski janë takuar sot presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në Moldavi.
“Maqedonia e Veriut dënoi agresionin brutal ushtarak që Rusia po kryen kundër Ukrainës së pavarur dhe sovrane. Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e saj për të përcaktuar rrugën e vet. Ne kemi ofruar dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje në çdo formë që Ukrainës i nevojitet”, theksoi mes tjerash Kryeministri Kovaçevski.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmes një postimi në Twitter falenderoi kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
“Në Moldavi, në margjinat e samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian, u takova me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski. Falënderova liderët për mbështetjen e vazhdueshme gjithëpërfshirëse të Ukrainës dhe ndihmën praktike në luftën kundër agresionit rus, veçanërisht për pranimin e vendeve të Ballkanit në të gjitha paketat e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, shkruan Zelensky në Twitter.
Me Zelenskyn u takua edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e fundit shkruan se i shprehu solidaritet të plotë presidentit të Ukrainës, vendi i të cilit është në luftë me Rusinë që kur kjo e fundit e nisi pushtimin e paprovokuar në shkurt të vitit të kaluar.
“Askush nuk e kupton dhimbjen, luftën dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës më mirë se populli i Kosovës. Asgjë nuk mund ta pengojë vullnetin e një populli për të qenë i lirë”, shkroi Osmani.













