Ramush Haradinaj ka kritikuar vendimin e sotëm të komisionit, që vendosi të mos përkrahë amendamentin për ndarjen e 1 milion eurove shtesë për proteza dhe pajisje mjekësore për invalidët e luftës.
Sipas Haradinajt, është e papranueshme që ata që dhanë gjymtyrët dhe shëndetin për lirinë e Kosovës, sot të lihen në harresë nga qeveria.
“Proteza për një invalid të luftës nuk është luks, por domosdoshmëri. Këto pajisje duhet të ndërrohen periodikisht, ndërsa kostoja e tyre është e papërballueshme për shumë prej tyre. Është detyrim i shtetit që t’ua sigurojë, e jo t’i lërë të kërkojnë ndihmë te miqtë dhe bashkatdhetarët në diasporë” shkroi ai.
Në mbledhjen e sotme, amendamenti i propozuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Persona të Pagjetur, nuk mori mbështetjen e anëtarëve, pasi pesë votuan për, asnjë kundër dhe pesë abstenuan.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo çështje tashmë është e rregulluar përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, i miratuar në mars të vitit 2024, dhe se mbulimi bëhet përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Në lidhje me këtë çështje, tashmë ka rregullim institucional, pra që prej marsit të vitit 2024 është miratuar udhëzimi administrativ, i cili e mbulon këtë këst përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Pra, është miratuar udhëzimi nga Ministria e Shëndetësisë, kështu që kjo çështje tashmë ka zgjidhje, nuk e shoh që është e nevojshme të bëhet një amandament i tillë”, tha Murati.
















