Klisman Kadiu nga kabineti i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimit, ka reaguar sërish lidhur me raportimin e mediumit zviceran NZZ për “takime diskrete” mes pales kosovare dhe asaj serbe në Zvicër.
Kadiu me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se Bislimi s’ka pasur takim të fshehtë “as kurrfarë takimi” me Marko Gjuriq, teksa ka pretenduar se artikulli i NZZ është shtrembëruar.
“Gazeta NZZ shkruan se zëvendëskryeministri Bislimi dhe Gjuriq kanë qenë ndër personazhet që kanë marrë pjesë në takime të organizuara nga MPJ e Zvicrës dhe organizata amerikane CIG, por JO se kanë qenë prezent në të njëjtin takim ose që janë takuar bashkë. Kujtojmë se këto takime të procesit të dialogut për të lehtësuar procesin, organizohen që mbi 10 vite tashmë, e siç sqaroi sot dhe MPJ e Zvicrës, ato nuk janë sekrete, siç u portretizuan në portale gjatë ditës”, thotë Kadiu.
Zëdhënësja e MPJ-së zvicerane, Lea Zurcher, ka thënë për Express, se organizojnë bisedime dy apo tri herë në vit në qytetin e Solothurnit, meqë s’duan që palët të jenë të ngarkuara nga vëmendja e publikut. Megjithatë ajo thotë se këto takime s’janë sekrete, por siç i quajnë diskrete. Sidoqoftë për udhëtimet atje dhe pjesëmarrjen s’ka njoftime zyrtare nga pjesëmarrësit.
“Zvicra mbështet dialogun midis Serbisë dhe Kosovës si pjesë e angazhimit të saj për ndërtimin e besimit dhe mirëkuptimit. Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës (FDFA) organizon bisedimet e Solothurnit dy deri në tre herë në vit. Ndërsa zhvillohen në mënyrë diskrete, këto takime nuk janë sekrete”, ka thënë ajo. /Insajderi.org/











