Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për regjistrimin e një partie të re politike në Kosovë.
Bëhet fjalë për Partinë Qytetare për Mirëqenie Sociale (PQMS), një iniciativë qytetare që udhëhiqet nga Sali Salihu.
Në njoftimin e KQZ-së bëhet e ditur se pas pranimit të aplikacionit për regjistrim, Zyra ka shqyrtuar dhe verifikuar të gjithë dokumentacionin e dorëzuar, përfshirë statutin, programin, aktin e themelimit, simbolin, raportin financiar, librezën e nënshkrimeve të përkrahjes së votuesve të regjistruar dhe taksën e regjistrimit në vlerën 500 euro.
“Pas pranimit të këtyre dokumenteve, Zyra ka komunikuar me palët, duke i dërguar shkresën që përmban komentet për ndryshim. Iniciativës politike i është dhënë afat prej 5 ditësh për të dërguar ndryshimet në statut dhe numrin e mbështetësve. Para përfundimit të këtij afati, iniciativa politike ka aplikuar ndryshimet e kërkuara dhe ka dorëzuar materialet në Zyrë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Me këtë vendim, PQMS bëhet partia e 53-të e regjistruar në Kosovë.














