Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut e ka gjobitur kompaninë “Aztech” SH.P.K., nën arsyetimin se ka shpërndarë materiale reklamuese me përmbajtje mashtruese dhe nuk ka kompensuar një konsumator, sipas një vendimi të datës 8 maj 2026.
Sipas vendimit të Inspektoratit, gjatë një inspektimi të kryer më 24 prill 2026, është trajtuar ankesa e një konsumatori, i cili kishte pretenduar se produkti i reklamuar dhe i porositur online nuk përputhej me reklamën.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se, pas konfirmimit të porosisë, operatori ekonomik e kishte tërhequr nga shitja produktin e reklamuar. Inspektorati gjithashtu thekson se, pas kërkesës për sqarim, personi përgjegjës i kompanisë nuk e kishte arsyetuar moskompensimin e konsumatorit.
Bazuar në këto konstatime, Inspektorati ka vlerësuar se veprimet e kompanisë janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, përkatësisht me nenin 13, paragrafin 1, dhe nenin 8, paragrafët 1.5 dhe 1.13.
Për këto shkelje, kompanisë i është shqiptuar gjobë prej 1,000 eurosh, e cila, sipas vendimit, duhet të paguhet brenda 15 ditësh nga dita e pranimit të tij. Nëse gjoba paguhet brenda këtij afati, kompania lirohet nga pagesa e 50 për qind të shumës së shqiptuar.


Insajderi ka kontaktuar kompaninë “Aztech” për të marrë një qëndrim lidhur me vendimin e Inspektoratit dhe shkeljet e konstatuara, por deri në publikimin e këtij materiali nuk ka marrë ndonjë përgjigje. /Insajderi.org/
















