Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

REL: Lista Serbe jashtë loje: Si do të mbrohen interesat e serbëve në Kosovë?

30/04/2025 - 13:11
në Kryesore, Lajme
A A
REL: Lista Serbe jashtë loje: Si do të mbrohen interesat e serbëve në Kosovë?
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Në një kohë kur çdo votë deputeti ka rëndësi vendimtare, nëntë votat e Listës Serbe në Kosovë nuk po merren parasysh nga askush. Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës as në tentimin e tetë, më 29 prill, për shkak të mungesës së votave.

Ndërsa viteve të kaluara Lista Serbe ishte pjesë e rregullt e koalicioneve qeverisëse, këtë herë askush nuk i afrohet, dhe askush nuk pret bashkëpunim me të – as Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, e as partitë që deri vonë ishin në opozitë.

Për këtë situatë është përgjegjës sulmi i armatosur dhe vrasja e një polici të Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023, thotë për Radion Evropa e Lirë, Miodrag Milliqeviq nga organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicën e Veriut. Ai shton se, pas këtij sulmi në veri të Kosovës, të kryer nga një grup serbësh dhe për të cilin përgjegjësinë e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, kjo listë ka humbur “potencialin për koalicion”.

“Kjo paraqet një problem shtesë për komunitetin serb, kur bëhet fjalë për përfaqësimin e interesave të tyre, që zakonisht ndodh përmes Listës Serbe”, thekson Milliqeviq.

Lista Serbe nuk ka reaguar publikisht për sulmin në Banjskë, dhe nuk është distancuar nga Radoiçiq, të cilin më parë e kishte mbështetur hapur. Ai aktualisht është në arrati, dhe besohet se gjendet në Serbi. Në Kosovë, ndaj tij është ngritur aktakuzë për rastin Banjska, dhe është lëshuar urdhër arresti edhe për dyshimet për krime lufte ndaj popullatës civile.

Nga ana tjetër, politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se si partitë shqiptare, ashtu edhe Lista Serbe, pajtohen që bashkëpunimi mes tyre nuk është i mundur. Ai shton se Lista Serbe as nuk e sheh veten si përfaqësuese të serbëve në institucionet e Kosovës.

Megjithatë, ai thekson se interesat e komunitetit serb nuk mund të mbrohen, nëse nuk marrin pjesë në institucione, pasi Qeveria e Kosovës merr vendime që i prekin drejtpërdrejt ata.

“Edhe nëse mbetet jashtë Qeverisë, Lista Serbe mund të marrë pjesë në punën e Kuvendit dhe të ketë ndikim në procesin legjislativ. Mundësisht, edhe të ndalojë miratimin e disa ligjeve”, thotë ai, duke kujtuar se votat e deputetëve serbë janë thelbësore për ndryshimin e Kushtetutës apo për miratimin e ligjeve të rëndësishme.

Megjithatë, sipas tij, një ndryshim i imazhit të saj mund të përbëjë një zgjidhje për bashkëpunim.

Lista Serbe, e vetmja parti serbe në Kosovë me mbështetje nga Beogradi zyrtar, tashmë prej muajsh nuk komunikon me mediat në Prishtinë, dhe nuk iu përgjigj as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si do të mbrojë interesat e komunitetit të saj nëse përjashtohet nga institucionet udhëheqëse.

Kjo parti ka bojkotuar institucionet e Kosovës për më shumë se dy vjet, pasi vetë e nisi largimin e serbëve nga institucionet në nëntor të vitit 2022, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të hequr targat serbe.

Megjithatë, Lista Serbe mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por për herë të parë prej themelimit humbi njërin prej 10 mandateve të rezervuara për serbët. Ky mandat i shkoi Nenad Rashiqit, udhëheqës i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, dhe partner i deritashëm i koalicionit qeverisës të Albin Kurtit.

Çfarë thonë partitë shqiptare për bashkëpunimin me Listën Serbe?

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, që nga mesi i prillit nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi partitë e tjera shqiptare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate – nuk po e mbështesin kandidaten e saj për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.

Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje në mënyrë kategorike refuzon çdo bashkëpunim me Listën Serbe.

“Qëndrimi ynë për këtë çështje është i qartë, i njohur, dhe nuk ka ndryshuar”, tha për Radion Evropa e Lirë, Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë në detyrë.

Pas zgjedhjeve, Vetëvendosje bëri të ditur se do ta formojë Qeverinë e re me ndihmën e votave të komuniteteve joserbe, duke përjashtuar kështu Listën Serbe. Gjithashtu, kjo parti ishte përpjekur të pengonte pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, me arsyetimin se nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk është distancuar nga “aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë”, duke aluduar në sulmin e Banjskës.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh deputet i saj, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo parti e rrespekton vullnetin e qytetarëve, të cilët e kanë zgjedhur Listën Serbe t’i përfaqësojë. Por, sipas tij, aktualisht LDK-ja nuk ka kurrfarë komunikimi me Listën Serbe.

Ai thotë se LDK-ja u përmbahet parimeve që të mos bashkëpunojnë me elementë që bien ndesh me ligjin.

“Me elementë që kanë problem me krimin e organizuar, korrupsionin, terrorizmin dhe problemet tjera ligjore, ne nuk kemi bashkëpunuar asnjëherë. Kështu që krejt parametrat janë të vendosur. Për pjesën politike, ne nuk kemi problem. Por, gjithçka që nuk i prek këto parime, të cilat i përmenda më herët, është i mirseardhur bashkëpunimi, por jo me elementë të tillë, në asnjë mënyrë”, thekson Haziri.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, në Kosovë lidhet edhe me krimin e organizuar, korrupsionin, vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, dhe me sulmin në Banjskë të Zveçanit, të cilin autoritetet e Kosovës e konsiderojnë akt terrorist.

Këtë javë, ndaj tij është lëshuar edhe një tjetër fletarrestim, për dyshime për krime lufte ndaj popullatës civile. Ai ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe për krim të organizuar ndërkombëtar.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo parti nuk ka ndonjë rol udhëheqës në procesin e formimit të qeverisë së re.

Siç thotë ajo, AAK-ja nuk ka mandatar për formimin e ekzekutivit të ri, dhe si rrjedhojë, ajo nuk ka ndonjë arsye që të ketë ndonjë bashkëpunim me Listën Serbe dhe deputetët e saj.

“Jemi partia më e vogël shqiptare [në Kuvend] dhe ne nuk kemi radhën për formimin e qeverisë. Ata që e formojnë qeverinë, ndoshta duhet të komunikojnë [me Listën Serbe]. Në çfarë forme duhet të bashkëpunojmë ne, kur ne nuk e kemi mandatarin për formimin e qeverisë?”, shprehet Kadrijaj.

Gogiq: Lista Serbe të “ribrendohet dhe të distancohet nga e kaluara”

Politologu Gogiq thotë se ende nuk është e qartë në publik se kush refuzon bashkëpunimin – Lista Serbe, partitë shqiptare apo të dyja palët. Sido që të jetë, sipas tij, mungesa e besimit mes përfaqësuesve politikë të serbëve dhe shqiptarëve nuk mund të zgjidhet së shpejti.

“E kemi të qartë qëndrimin e partive shqiptare se nuk do të kërkojnë bashkëpunim me Listën Serbe, edhe po të mos mund të formojnë qeverinë. Kjo vlen për Vetëvendosjen dhe për opozitën. Ata thonë se më mirë shkojnë në opozitë apo në zgjedhje të reja, sesa të qeverisin me votat e Listës Serbe”, thekson ai.

Ai shton se, për sa kohë nuk ndryshon perceptimi i publikut shqiptar për Listën Serbe, bashkëpunimi nuk do të jetë i mundur.

Zgjidhja, sipas tij, do të ishte që partitë shqiptare të ndryshojnë retorikën ndaj Listës Serbe, ose që vetë Lista Serbe të “ribrendohet, të ndërmarrë hapa të qartë për distancim nga e kaluara, që është problematike për shqiptarët”.

“Lista Serbe me besimin më të ulët në dekadën e fundit”

Edhe Milliqeviq, nga organizata Aktiv, thotë se ende nuk është e qartë nëse Lista Serbe dëshiron të marrë pjesë në jetën politike të Kosovës dhe të jetë zë i njerëzve që ia kanë besuar votën.

“Kjo është pyetja kryesore për përfaqësuesit e Listës Serbe, sepse interpretimi ynë i angazhimit të deritanishëm të tyre në Kuvend, veçanërisht gjatë një viti e gjysmë të fundit, nuk mund të konsiderohet as i kënaqshëm. Këtë e dëshmon edhe Analiza e Trendeve, një sondazh që kemi realizuar në mesin e komunitetit serb në gjithë Kosovën. Besimi në përfaqësuesit serbë në Kuvend është në nivelin më të ulët në dhjetë vjetët e fundit. Ky është realiteti thelbësor”, thotë Milliqeviq.

Organizata Aktiv prej vitesh ndjek dhe analizon qëndrimet e komunitetit serb në veri dhe jug të lumit Ibër, dhe i publikon ato çdo vit në një raport të veçantë.

Raporti për vitin 2024 u prezantua më 30 prill në Prishtinë. Ndër të tjera, thuhet se nuk ka asnjë politikan konkret në të cilin komuniteti serb ka besim – shumica refuzon të përgjigjet në pyetjen se kujt i beson.

Sipas këtij hulumtimi të Aktiv-it, vetëm 2.8 për qind e të anketuarve kanë besim te Lista Serbe.

Milliqeviq, megjithatë, thekson se aktualisht nuk ekziston një alternativë ndaj Listës Serbe sa i përket përfaqësimit politik të serbëve, duke pasur parasysh se kjo parti ka fituar bindshëm më së shumti vota në zgjedhje – rreth 38 mijë ose 4.26 për qind.

“Nëse kjo pyetje i referohet kontekstit më të gjerë, situata ndryshon ndjeshëm. Atje keni parti të tjera politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale në gjithë Kosovën, por gjithashtu edhe shoqëria civile dhe mediat luajnë rol të rëndësishëm në përfaqësimin e interesave të komunitetit serb”, shprehet ai.

Milliqeviq dhe Gogiq përfundojnë se mbetet të shihet se si do të veprojë Lista Serbe, nëse Kuvendi i Kosovës do të arrijë të konstituohet. /REL

JU REKOMANDOJMË

ShBA-ja do të largohet “goxha shpejt” nga Irani, por do të rikthehet nëse ka nevojë, thotë Trumpi

Trump: Liderët e rinj të Iranit duan të flasin
01/04/2026 - 19:30

Shtetet e Bashkuara do të largohen nga Irani “goxha shpejt” dhe do të rikthehen për “goditje pikash”, nëse ka nevojë, i tha të mërkurën agjencisë “Reuters” presidenti amerikan,...

Më shumëDetails

Xhevdet Pozhari: Pas asaj që ka ndodh me 2019, jo e gjithë LDK-ja pret kthimin e Vjosa Osmani

Xhevdet Pozhari: Pas asaj që ka ndodh me 2019, jo e gjithë LDK-ja pret kthimin e Vjosa Osmani
01/04/2026 - 18:43

Analisti politik, Xhevdet Pozhari, ishte mysafir në Podcast-in “Përballje me Gazin”, i cili ka folur për aktualitetin politik në Kosovës. Sa i përket mundësisë së kthimit të presidentes,...

Më shumëDetails

Veç edhe 3 ditë afat për Presidenten për garantimin e funksionimit kushtetues të KQZ-së apo t’ia lë në dorë Albulena Haxhiut

Incidenti me presidenten Osmani në aeroport, del raporti zyrtar në Maqedoninë e Veriut
01/04/2026 - 16:57

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me (mos)veprimin e saj për përbërjen e KQZ-së do të përcaktojë ligjshmërinë e zgjedhjeve të reja parlamentare, që do të mbahen në qershor...

Më shumëDetails

Fillon verifikimi i ankesave të para nga konsumatorët për njehsorët elektrikë

Fillon verifikimi i ankesave të para nga konsumatorët për njehsorët elektrikë
01/04/2026 - 16:55

Komisioni i posaçëm i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, sot gjatë ditës ka dalë...

Më shumëDetails

“Duam rrogën e 13-të”- Shpërthejnë pakënaqësitë e punëtorëve në ashensorin e Telekomit, kritika edhe për heshtjen e sindikatës

“Duam rrogën e 13-të”- Shpërthejnë pakënaqësitë e punëtorëve në ashensorin e Telekomit, kritika edhe për heshtjen e sindikatës
01/04/2026 - 15:53

Punonjësit e Telekomit të Kosovës kanë filluar t’i adresojnë ankesat e tyre në mënyrë të drejtpërdrejt, e jo përmes sindikatës. Kjo, pasi që po pretendojnë se sindikatat po...

Më shumëDetails

Nesër Kuvendi mban seancë plenare

Konstituimi i Kuvendit, seanca vazhdon të shtunën në ora 11:00
01/04/2026 - 15:33

Nesër Kuvendi do të mbajë seancë plenare. Seanca pritet të fillojë në ora 10:00. Ky është rendi i ditës: 1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme, 2....

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Muriqi nga Presidenca e Kosovës: S’më kishte shkuar mendja te kjo, as biletën kthyese nuk e kam

    Muriqi nga Presidenca e Kosovës: S’më kishte shkuar mendja te kjo, as biletën kthyese nuk e kam

    100 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • Kosova humb, komentatori nga ky shtet gëzohet për Turqinë sikur të ishte kombëtarja e tij [VIDEO]

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • Bie çmimi i naftës e rriten tregjet e aksioneve

    87 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22
  • Presidenti iranian: Jemi të gatshëm për fund të konfliktit, por vetëm me garancitë e duhura

    86 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 22
  • Deklarohet Foda, kjo do të jetë e ardhmja e tij pas eliminimit nga Kupa e Botës

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë