
Tensionimi i situatës në veriu e Kosovës po vazhdon edhe më tutje, madje me intensitet të shtuar çdo ditë e më shumë.
Kjo gjë vërehet në çdo cep të kësaj pjese të territorit të Kosovës nëse keni mundësi të lëvizni.
Ekipi i Gazetës Online Veriu.info ka qëndruar sot në veri të vendit ku ka parë nga afër atmosferën dhe veprimet e Policisë së Kosovës, sidomos në Leposaviq.
Rreth 500 metra para se t’i afroheshim pikës kufitare të Jarinjes, ne arritëm të shohim kolonën e gjatë të kamionëve serb, dhe atyre me mallra serbe në tokën e shtetit të Serbisë.
Kolonës nuk mund t’ia shihnim fundin, pasi numri i tyre ishte aq i madh.
Kjo situatë në pikat kufitare me Serbinë vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të ndalojë hyrjen e mallrave serbe dhe kamionëve me targa serbe në Kosovë.
Krahas kësaj ne pamë nga afër edhe pikën kufitare në Jarinjë, ku policia e Kosovës po vazhdonte kontrollin e të gjitha veturave që po hynin nga Serbia në Kosovë.
Krahas bllokadës së kamionëve, të gjitha veturat që hynin në Kosovë po kontrolloheshin nga policia e Kosovës.
Por ashtu siç e raportuam më herët, gjërat dukeshin të kenë ndryshuar në pjesën tutje në drejtim të Leposaviqit, ku policia e Kosovës nuk po qëndronte fare në postbllokun e vendosur tash e një periudhë në dalje të kësaj komune. Ditëve të fundit aty policia kishte kontrolluar veturat që kalonin, kurse sot nuk qëndronin fare në rrugë.
Pamje e kolonës së kamionëve serb:











