Dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dyshohet se janë përleshur brenda objektit të Ministrisë, më 29 mars.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se për këtë rast Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për të siguruar provat.
“Lidhur me këtë rast, prokurori i shtetit më 29 mars 2022, ka autorizuar policinë për grumbullimin e informatave dhe provave me qëllim të sqarimit të plotë të kësaj çështje”, tha Ulaj.
Dy zyrtarët e përfshirë në këtë rast, sipas burimeve të Sinjalit, janë Milaim Ahmetaj dhe Arjan Dernjani. Ky i fundit dyshohet se e sulmoi Ahmetajn, duke i shkaktuar edhe lëndime, për të cilat është detyruar të marrë pushim mjekësor nga Departamenti Ligjor.
Ditën kur ndodhi përleshja raportohet se edhe Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes.












