Javëve të fundit janë raportuar plot raste të përleshjeve brutale mes nxënësve qoftë brenda hapësirave të shkollave, por edhe jashtë tyre. Kjo dukuri kjo po alarmon drejtoritë e këtyre institucioneve arsimore dhe prindërit.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje, në rrugën “1 Qershori” Lipjan, ku disa të mitur janë rrahur mes vete, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se në rast janë përfshirë tre nxënës, dy prej të cilëve 16-vjeçarë dhe një 17-vjeçar, të cilët janë kapur me njëri-tjetrin, duke pësuar kështu lëndime trupore. Ngjarja ka ndodhur në mesditë, kur të miturit e dyshuar fillimisht kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Sinjali mëson se posa Policia ka marrë informacionet për rastin, ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa njëri nga personat e përfshirë është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
I mituri ka rrëfyer para zyrtarëve policorë se si u sulmua nga dy të dyshuarit, njëri prej të cilëve është dorëzuar vet në Polici, teksa tjetri pas disa orësh është kapur nga zyrtarët policorë dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit kryesorë janë dërguar në mbajtje, kurse i dyshuari tjetër është lënë i lirë. Ndaj tyre, kanë nisur hetimet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.













