
Kreu i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj i është drejtuar ministres së arsimit Arbërie Nagavci me një letër publike.
Jasharaj e ka thënë se Nagavci po tregon heroizëm dhe humanizëm të rrejshëm në raport me mësimdhënësit.
Ai ka thënë se pavarësisht që ministrja e Arsimit ishte njoftuar muaj më parë për grevën, ajo nuk mbështeti mësimdhënësit por përkundrazi “nuk hezitoi me deklarata urdhëruese e madje edhe plot shantazh e kërcënime”.
“Zonjën Nagavci e kishim njoftuar muaj më parë me kërkesat legjitime të anëtarësisë dhe e kishim lutur sa herë takoheshim që ato t’i prezantonte në takimet e Qeverisë duke e paralajmëruar se nëse ato nuk shqyrtohen do të vij deri të greva sepse kjo ishte kërkesë e anëtarësisë. Zonja Nagavci as para grevës e as gjatë saj as edhe një herë nuk ishte Ministre e arsimit dhe nuk iu dëgjua zëri në emër të punëtorëve të arsimit, po nuk mungoi e nuk hezitoi me deklarata urdhëruese e madje edhe plot shantazh e kërcënime. Ajo vazhdoi t’i duartrokiste edhe fyerjeve e deklaratave nënçmuese te Dimalit, Yllit, Dibranit, Sadriut e disa të tjerëve që u ka humbur çdo gjë njerëzore”.
I pari i SBASHK-ut thotë se Nagavci është ajo që la në baltë punëtorët e arsimit, kur shërbyesve civilë që ishin në grevë iu dolën pagat.
“Ajo nuk u ndie keq as kur Qeveria ua dha pagat shërbyesve civilë, që bashkë me punëtorët e sektorit të arsimit ishin në të njëjtën grevë shpallur nga BSPK-ja, kurse të punësuarve në sektorin që ajo përfaqëson iu ndalën pagat. Në vend të kësaj ajo i duartrokiti Hekuran Muratit dhe ndëshkimit që po u bëhej punëtorëve të sektorit në të cilin ajo ishte ministre. Zonja Nagavci për t’i hyrë në qejf shefit dhe Hekuranit shkoi edhe me tutje duke nxjerr urdhër se, pos dënimit me paga mësuesit, duhet edhe të zëvendësojnë edhe orët e humbura”.











