Një pjesë e autostradës “Ibrahim Rugova” – që lidhë Suharekën dhe Prizrenin është bllokuar pasi ka pasur rrëshqitje të dheut.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka njoftuar se janë detyruar ta mbullin përkohësisht këtë segment rrugor.
“Sot ka ndodhur një rrëshqitje e dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në kilometrin e 26-të në mes të Suharekës dhe Prizrenit, rrjedhimisht për shkaqe sigurie dhe rrezikshmërisë së lartë në këtë segment jemi detyruar që ta mbyllim përkohësisht qarkullimin rrugor në segmentin nga Suhareka deri në Prizren, ndërsa rruga nga Prizreni në drejtim të Prishtinës është e lirë për qarkullim”, – ka shkruar Durmishi.
Ai ka thënë se ekipet janë në teren për ta sanuar problemin e krijuar dhe rrjedhimisht ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët.
“Bashkë me ekipet e mirëmbajtjes jemi në teren dhe jemi duke punuar vazhdimisht deri në zhbllokimin e këtij segmenti rrugor, duke marrë kështu të gjitha masat e duhura në mënyrë që nesër ky segment të jetë i lirë për qarkullim. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë rrugë, që nga Suhareka deri në Prizren ta shfrytëzojnë rrugën nacionale N25”, – ka thënë zëvendësministri.












