Besnik Mujeci, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Prishtinës, i cili të hënën është arrestuar nga Policia e Shqipërisë nën dyshimet për trafikim të lëndëve narkotike, para më shumë se dhjetë viteve protestonte pikërisht kundër një megaskandali që lidhej me drogë e që sot e asaj dite ka mbetur i pazbuluar.
Mes 24 e 25 prillit të vitit 2009, në Dhomën e Dëshmive të Policisë së Kosovës, ishin vjedhur mbi 50 kilogramëve drogë e llojit heroinë dhe qindra mijëra euro në valuta të ndryshme. Mujeci, atëherë në mesin e protestuesve për një kauzë të drejtë, pas më shumë se një dekade, ndodhet në mesin e pesë të arrestuarve për trafikim droge.
Ai është arrestuar nga Policia e Shqipërisë për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike. Atij i janë gjetur dhe sekuestruar mbi 5 kilogramë lëndë narkotike, përkatësisht mbi 11 mijë tableta ekstazi MDMA në vlerë prej mbi 400 mijë euro.
Për transportin e narkotikëve nga Prishtina në Tiranë është shfrytëzuar linja e udhëtimit të autobusëve Prishtinë-Tiranë, pikërisht në kohën kur fluksi i qytetarëve dhe hyrje-daljet në pikën e përbashkët kufitare Kosovë-Shqipëri janë rritur ndjeshëm për shkak të pushimeve verore.













