Katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe rreth dy muaj nga seanca e parë për konstituimin e Kuvendit, deputetët e Kosovës vazhdojnë të “shkojnë në punë” çdo 48 orë pa bërë asnjë punë.
Seanca pas seance, me skenar të përsëritur e pa asnjë zgjidhje, Kuvendi ka mbetur peng i pazareve politike për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Ndërkohë, të vetmen gjë që kanë arritur ta bëjnë 76 prej tyre është të emërojnë asistentët personalë, të cilët tashmë marrin paga të majme. njësoj si vetë deputetët, që megjithëse s’kanë votuar asgjë, paguhen rregullisht. Ironikisht, shteti funksionon vetëm për rrogat e tyre..
FrontOnline ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës listën e asistentëve të rinj të deputetëve, paga e së cilëve, sipas raportimeve të mëhershme të FrontOnline, sillet nga 640 € deri në 850 €, përfshirë këtu edhe benificionet shtesë.
Rrogat ecin, zgjidhjet mungojnë, e ndërkohë qytetarët e këtij vendi paguajnë për një Kuvend që ekziston vetëm fizikisht, por jo funksionalisht.
Në vend që të përfaqësojnë interesin e popullit, shumë prej deputetëve duket se janë më të përqendruar në rehati sesa në përgjegjësi. Kuvendi nuk ka kryetar, nuk ka punë, por ka staf të rregullt dhe këtë, me sa duket, e kanë trajtuar si prioritet kombëtar.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi, për FrontOnline ka folur pas bllokadës së krijuar në Kuvend për shkak të mosmarrëveshjeve politike, duke theksuar se vendi ka nevojë për përgjegjësi institucionale dhe jo për krizë të re zgjedhore.
“Nuk kemi mbajtur zgjedhje për të shkuar në zgjedhje të reja menjëherë. Ajo çka ne kemi marrë si rezultat, duhet me ia respektu njëri-tjetrit”, deklaroi Demi-Murtezi, duke aluduar në pengesat e vazhdueshme që sipas saj po vijnë nga opozita.
Deputetja theksoi se Vetëvendosje ka treguar përmbajtje dhe nuk ka reaguar me të njëjtën monedhë.
“Nëse ne sot i kemi kaluar 53 ditë duke na kushtëzuar opozita për një emër, do të duheshin edhe 53 ditë tjera që të i kushtëzonim ne ata për emrat e nënkryetarëve të tyre, por kjo nuk është zgjidhje” deklaroi ajo.
Në vazhdim, ajo i bëri thirrje opozitës që të veprojë me maturi dhe në interes të vendit, duke theksuar se kërkesa për unitet, siç po artikulohet nga LDK-ja, duhet të materializohet aty ku ka vlerë reale – në Kuvend.
“Nëse këtij vendi i duhet unitet, siç po kërkon LDK, ai unitet duhet të arrihet në Kuvend, e më pas Qeveria bëhet me numra, bëhet me projekte konkrete. Nëse na duhet unitet, na duhet në Kuvend. E për qeveri e shohim se me kë na ec bashkëpunimi”, tha ajo për FrontOnline.
Në përmbyllje, Demi-Murtezi shprehu shpresën se deputetët opozitarë do të reflektojnë.
“Po shpresoj që kolegët deputetë nga opozita t’i thërrasin mendjes” u shpreh deputetja.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, për FrontOnline ka folur ndaj situatës së vazhdueshme të bllokadës politike, duke e cilësuar procesin si një “cirk politik” që po zvarritet përtej çdo limiti normal institucional.
“Cirku po vazhdon, ne jemi në pritje të dekretimit të partisë që ka më së shumti ulëse në Kuvend,” ka deklaruar Qalaj.
Sipas tij, PDK-ja i ka dhënë tashmë opsionet e saj për zgjidhjen e ngërçit, por nuk do të mbështesë formimin e një qeverie të re të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje:
“Ne i kemi dhënë opsionet tona. Ne nuk e votojmë kabinetin qeveritar, por jemi të hapur për një kandidat konsensual që ta votojmë.” tha ai për FrontOnline.
Qalaj shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të luajë një rol kyç në sqarimin e situatës dhe në përcaktimin e hapave të ardhshëm.
“Jemi duke pritur edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese dhe besoj se opinioni i saj do të jetë pozitiv për deputetët e opozitës.” përfundoi Qalaj.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj, për FrontOnline ka deklaruar se subjekti i tij politik është i gatshëm për zgjedhje të reja, duke e cilësuar këtë si një ndër opsionet më të mundshme për tejkalimin e situatës aktuale politike.
“Pa ardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese s’kam ndonjë ide,” ka thënë Brahimaj, duke theksuar se çdo veprim konkret varet nga interpretimi kushtetues i rrethanave aktuale.
Ai ka shtuar se zgjedhjet mbeten një zgjidhje e mundshme dhe se AAK është e përgatitur për t’u përballur me to.
“Edhe zgjedhjet do të ishin zgjidhje. Edhe ne si AAK jemi gati për zgjedhje të reja, si do qoftë.” tha ai për FrontOnline.
Megjithatë, Brahimaj ka theksuar se gjithçka varet nga koordinimi ndërmjet partive politike dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese:
“Por kjo varet edhe nga partitë tjera, por edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese se çfarë vendimi do të kthejë.” përfundoi deputeti Brahimaj.
Analisti politik Shkëlzen Maliqi për FrontOnline ka komentuar situatën aktuale politike në Kosovë, duke u ndalur veçanërisht te roli i Presidentes dhe mundësitë për të tejkaluar ngërçin institucional.
Sipas tij, zgjidhja është e mundur nëse të gjitha palët marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe veprojnë me vendosmëri.
“S’kemi çka të themi. Edhe Presidentja e ka të drejtën e dekretimit të daljes nga ngërç me pak guxim”, ka thënë Maliqi, duke nënkuptuar se zyra e Presidentes mund të luajë rol më aktiv në zgjidhjen e krizës politike në vend.
Ai thekson se vendimi i pritshëm nga Gjykata Kushtetuese mund të hapë rrugë për veprime më konkrete.
“Nëse del vendimi i Kushtetueses, edhe ajo mundet me shpejtu procesin.” tha Maliqi për FrontOnline
Ndërkohë, Maliqi nuk përjashton as mundësinë që opozita të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit duke mbështetur një kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje:
“Ose edhe opozita, si faktori i tretë, edhe këta munden me votu një kandidat të VV-së.” tha ai.