
I ngarkuari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha në Shkup se nuk duhet të nënçmohet periudha kohore e nevojshme për ndryshimet e kushtetutës. Në takimin me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferrin, Sarrazin ofroi ndihmë dhe mbështetje për avancimin e procesit të eurointegrimeve duke theksuar se Gjermania dëshiron që procesi i ndryshimeve kushtetuese të arrihet sa më shpejt.
Duke e pasur parasysh mundësinë për hapjen e negociatave me Ukrainën në dhjetor të këtij viti, rreziku nga veçimi i Maqedonisë së Veriut nga vendet tjera, pa përmbushjen e kërkesave të duhura evropiane, është i paevitueshëm, theksoi Sarrazin.
“Për këto arsye është e rëndësishme se si do të formulohet mënyra e ndryshimeve kushtetuese, por akoma më me rëndësi është mos të nënçmohet periudha kohore për nxjerrjen e tyre. Dinamika aktuale në BE për përshpejtimin e procesit të zgjerimit nuk duhet të humbasë”, u shpreh i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perendimor Manuel Saracin.










