Një grup i serbëve janë tubuar në veri të Mitrovicës në mbështetje të popullit rus, për të cilin thanë se “po persekutohet” jashtë Rusisë.
Ata u bënë thirrje rusëve dhe ukrainasve që “të gjejnë një zgjidhje të përbashkët dhe të bashkohen kundër Perëndimit”.
Siç raporton mediumi në gjuhën serbe KoSSev , ata thonë se duan të dërgojnë mesazhe paqeje, pa përkrahur vrasje dhe aksione luftarake.
Njëri nga protestuesit, Nebojsha Joviq, tha se ai dhe disa qytetarë që u mblodhën sot “nuk mund të qëndronin mënjanë, duke parë ngjarjet në Ukrainë dhe duke parë persekutimin e popullit rus jashtë Rusisë”.
“Sot ne po përcjellim një mesazh mbështetjeje për popullin rus – vëllezërit tanë rusë, ju nuk jeni vetëm, ne jemi me ju dhe do të jemi me ju. Ne po u themi atyre se serbët e Kosovës e duan popullin e tyre vëlla rus”, tha Joviq.
Ai tha se dëshiron t’iu dërgojë një mesazh tjetër ukrainasve, duke i ftuar të bashkohen me rusët.













