Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka folur rreth takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.
Lladrovci në një prononcim për GazetaBlic ka kritikuar kryeministrin Kurti për takimet me Vuçiqin, ku shtoi se Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë.
Lladrovci thotë se sa i përket çështjes së formimit të Asociacionit, Kosova dhe Serbia duhe të mendojnë të njëjtën përmbajtje, kompetenca ekzekutive dhe në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Mirë që Kryeministri ynë takohet me atë të Serbisë, edhe pse nuk dihet fati i të pagjeturve, edhe pse Serbia nuk ka kërkuar falje, edhe pse nuk janë dënuar kriminelët e luftës për krimet e kryera në Kosovë, edhe pse Serbia nuk ia ka paguar Kosovës dëmet e luftës.
Rrethanat nuk presin, por, kur thuhet Asociacion, të dyja palët duhet ta mendojnë të njëjtën përmbajtje, pa kompetenca ekzekutive dhe në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këtu nuk ka dyshime”, tha Lladrovci.
“Nuk kemi pse sillemi inferior ndaj Serbisë as me komplekse se kush është kush, historia nuk rishkruhet. Kemi zhvilluar luftë të drejtë çlirimtare. Aq ishte lufta jonë e drejtë sa bota demokratike na ndihmoi të çlirohemi dhe arrijmë deri këtu, kuptohet, me çmimin tepër të madh me viktima, tortura e burgje që pagoi populli ynë për gati një shekull”, shtoi Lladrovci.
I pyetur se nëse në takimin e radhës do të ketë presion nga BE-ja për formimin e Asociacionit, Lladrovci thotë se Koosva nuk do të lëndohet derisa e ka Amerikën në krahë.
Lladrovci shtoi se Kosova do të mbetet storje suksesi.
“Deri sa të ketë Amerikë, nuk pres lëndim të Kosovës e as presion që të gëlltisim hapa të hidhur kundër interesit të Kosovës, por, e vërteta jonë duhet të thuhet preras nga vet ne, te miqtë tanë dhe tavolina e takimit, duke mos e harruar kontekstin kohor dhe vendosmërinë tonë përtej protagonizmave, sepse, Kosova ka qenë, është dhe mbetet storje suksesi”, tha Lladrovci për GazetaBlic.













