Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit zhvilloi takimin e parë me Kamberin lidhur me çështjen e mandatarit të kryeministrit.
Kamberi ka thënë se ka diskutuar me Vuçiqin për shqiptarët e Luginës duke i thënë këtij të fundit se qasja diskiminuese ndaj shqiptarëve duhet të ndalojë.
“Presidentit Vuçiq i prezentuam kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës të bazuara në Planin 7 pikësh, ripërsëritëm qëndrimin tonë të përbashkët se nuk jemi të interesuar për asnjë pozitë në nivel qëndror por që konsiderojmë se avancimi i të drejtave të shqiptarëve është interesi jonë i vetëm dhe ai duhet të fillojë nga institucionet shtetërore të nivelit lokal e rajonal.
Qasja e shtetit ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë.”
Kamberi ka cekur poashtu që shkollat në gjuhën shqipe dhe përmirësimi i infrastruktures në Luginë duhet të jenë agjendë e qeverisë.
“Shkollat në gjuhën shqipe dhe përmirësimi i infrastrukturës në to do duhej të jenë agjendë e qeverisë së re ndërsa riemërimi i shkollës në Bilaç në Ismail Kadare do duhej të siguronte qasje konstruktive të ministrisë.”/Veriu.info/












