Analisti Azdren Shala, në një prononcim për Gazeta Blic, ka komentuar situatën e krijuar sot në Kuvendin e Kosovës dhe veprimet e opozitës.
Shala ka thënë se skenat e sotme në Kuvend janë pasojë e, siç i ka cilësuar ai, “veprimeve separatiste që Kurti vazhdon t’i bëjë në politikë”.
“Ndonëse këto skena nuk janë një imazh i mirë për Kosovën, për fat të keq, ky duket të jetë i vetmi mjet që opozita ka për ta parandaluar suprimimin e plotë të Kushtetutës dhe rrënimin përfundimtar të Republikës”, ka deklaruar Shala.
Sipas tij, në situatën aktuale në të cilën ndodhet Kosova, një sjellje normale e opozitës do të ishte jo normale.
“Në këtë situatë në të cilën ndodhet Kosova, sjellja normale e opozitës do të ishte jo normale. Prandaj, besoj se duhet të vazhdohet me këtë skenar opozitar të PDK-së dhe AAK-së”, ka thënë ai.
Shala ka vlerësuar se përballë veprimeve të Kurtit, dialogu me të ka humbur kuptimin.
“Përballë sjelljeve të Kurtit, bisedimeve me të tashmë u ka humbur kuptimi. Protesta dhe rruga, tash e tutje, duhet të jenë arena kryesore politike dhe, në këto rrethana, opsioni i vetëm për ta mbrojtur dhe shpëtuar Republikën”, ka përfunduar Shala.













