
Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar në seancën e sotme të Kuvendit një rezolutë për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala e mori fjalën i pari, duke thënë se menaxhimi i këtij dikasteri nga ministrja Rozeta Hajdari “ka shënuar dështim dhe skandale të vazhdueshme gjatë këtij mandati qeverisës”.
“Ju them me përgjegjësi të plotë. Nëse pas sotit, kryeministri Albin Kurti dhe mazhoranca nuk reagojnë, atëherë ta keni të qartë se dikush i fortë, shumë i fortë në Qeveri po i qëndron prapa në mbulimin e këtyre aferave milionëshe”, tha Shala.
Pas tij foli kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
“Si po keni mundësi me i pasë gjithë këto informatat tjera, për gjithë sektorët tjerë, e nuk po i keni informatat për periudhën kur keni bashkëqeverisë”, tha ajo ndër tjerash.
Kusari-Lila përmendi sukseset, që sipas saj i ka shënuar Ministria e udhëhequr nga Rozeta Hajdari.











