Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë me një komunikatë për media ku shprehen të zhgënjyera me refuzimin e Qeverisë së Kosovës që ta zgjasë afatin e zbatimit të vendimit për targat, kërkesë ekskluzive kjo e shtetit aleat.
Në komunikatën e publikuar në faqen e Departamentit të Shtetit, Kosovës i kërkohet që ta zgjasë përiudhën e zbatimit ë vendimit për targat.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në reagimin e ShBA-së.

Tutje, theksohet qartë se shteti amerikan është i zhgënjyer dhe i shqetësuar me Qeverinë e Kosovës që t’i dëgjojë kërkesat e tyre.
Ndërkaq, në fund, Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që të punojnë urgjentisht për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohje reciproke.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundon komunikata.
Qeveria e Kosovës “përshkallëzon” zbatimin e vendimit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pasditen e së premtes ka mbajtur një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, ku foli rreth një plani të ri për zbatimin e vendimit për targa.
Shefi i ekzekutivit tha se fillimisht do të ketë “masa të qortimit”, pastaj “masa të gjobitjes”, ndërkaq në fund, konfiskim të veturave.
“Për 3 javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor masa do të jetë e qortimit. Nga 21 nëntori për 2 muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Kurti para gazetarëve ka pretenduar se kjo nuk nënkupton që zbatimi i vendimit është shtyrë, por vetëm është shkallëzuar.
“Ne nuk e kemi shtyrë zbatimin e vendimit, e kemi shkallëzuar atë, dhe mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë tani. Në javën e parë të nëntorit e kemi Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet me kancelarin Scholz. Por gjithashtu do të kemi edhe takime të tjera të rëndësishme, për pozicionin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm që ka një fushatë agresive, kriminale, e cila vjen nga Serbia kundër serbëve të Kosovës, dhe gjitha këto na kanë bërë të mendojmë që zbatimin e vendimit ta përshkallëzojmë”, tha kryeministri.
Kurti ka treguar se vendimin e ri për targat ua ka prezantuar edhe ambasadoreve të vendeve të QUINT-it. Ai ka thënë se ata nuk e kanë ditur më herët për këtë vendim.
“Paten disa pyetje dhe pastaj thane se ju nevojitet që të konsultohen me kryeqendrat e tyre për ta dhënë mendimin lidhur me këtë vendim tonim”, ka thënë ai.
Vizita e Escobar dhe kërkesa për targat
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor gjatë javës së kaluar qëndroi në Kosovë, ku konfirmoi se një prej kërkesave kryesore që pati, ka qenë shtyerja e vendimit për targat për 10 muaj të tjerë.
Sipas Emisarit të ShBA-ve ky është një rekomandim dhe siç shtoi, “kur japin rekomandime është mirë të dëgjohen”.
“Dua të filloj duke thënë se Kosova ka të drejtë që ta zbatojë këtë, por ne duam të zbatojmë në një formë paqësore dhe që nuk i ngritë tensionet e që nuk na shpërqendron nga disa gjëra që duhet t’i bëjmë. Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë”, kishte deklaruar ai për Kanal 10.
Në pjesën e dytë të deklaratës së tij, ai kishte kujtuar faktin se kjo nuk është veç kërkesë e ShBA-së, por edhe e vendeve të QUINT-it.
“Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e SHBA-së, por e gjithë QUINT-it. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën”, tha ai./Nacionale













